Nis debati në kuvend rreth buxhetit për vitin 2015

16.10.2014 17:28

Filloi debati parlamentar pesëditor për propozim/buxhetin e plotësuar për vitin 2015......

Propozim/buxheti është bazuar në dy shtylla kryesore, përkatësisht në nivelin e lartë të investimeve kapitale dhe dimensionin social.

Realizimi i suksesshëm i buxhetit për vitin 2015 do të varet edhe nga zhvillimet ekonomike në eurozonë, por edhe në nivel global.

Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, sqaroi efektet e mundshme pozitive, por edhe rreziqet që mund të ndikojnë në ekonominë vendore. Pavarësisht stagnimit ekonomik në eurozonë dhe më gjerë, Stavrevski parasheh rritje ekonomike prej 4%.

“Në bazë të ruajtjes së nivelit të lartë të investimeve kapitale dhe thithjes së kompanive të reja nga jashtë, si dhe realizimin e potencialit të tërësishëm të kompanive ekzistuese, rritja për vitin 2015 për ekonominë maqedonase është projektuar në shkallë prej 4%. Përmes vlerës së madhe të investimeve kapitale, vazhdon mbështetja për ekonominë, si dhe realizimi i shkallës më të lartë të rritjes ekonomike. Për projekte kapitale, nga buxheti janë paraparë rreth 33 miliardë denarë”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavreski.    

Sipas Stavrevskit, kjo politikë është dëshmuar e suksesshme në vitet e kaluara.

“Përmes realizimit të projekteve infrastrukturore, projekte që nënkuptojnë rrugë të reja, hekurudha, kanalizime, spitale, shkolla dhe çdo gjë tjetër që financohet nga buxheti në pjesën e investimeve kapitale, të sigurojmë angazhim për ndërtimtarinë dhe industrinë. Në afat të shkurtër, kjo do të na sjellë shkallë më të lartë ekonomike, ndërsa në plan afatmesëm dhe afatgjatë do të mundësojë konkurrencë më të madhe në ekonominë vendore, përkatësisht më pak shpenzime për ekonominë dhe firmat dhe kështu do ta pozicionon më mirë ekonominë maqedonase”- tha Stavreski.

Me projekt-buxhetin pretendohet edhe mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve përmes rritjes së rrogave në administratë, rritjes së pensioneve dhe kompensimeve sociale.

“Çdo buxhet duhet të ketë kujdes edhe në dimensionin social, posaçërisht në kohëra të krizës globale. Përvoja na mësoi se në shumë vende, ku u anashkalua ky fakt, erdhi deri te trazira sociale dhe pakënaqësi te qytetarët, pasi në masë të madhe qeveritë, shtetet vendosën që pasojat nga kriza t’ua transferojnë qytetarëve përmes uljes së rrogave, pensioneve dhe subvencioneve”- u shpreh Stavreski.

Me buxhetin për vitin 2015, janë paraparë fonde për rritjen e rrogave në administratë për katër për qind, rritjen e pensioneve për pesë për qind dhe rritjen e kompensimeve sociale. Të hyrat e përgjithshme për propozim-buxhetin për vitin 2015 janë mbi 163 miliardë denarë, të dalat janë projektuar në rreth 182 miliardë denarë dhe deficit prej 18.5 miliardë denarë.

Buxheti po debatohet pa opozitën. Për debat janë paraqitur 40 deputetë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)