Botë

Kurti apel qytetarëve që t’i respektojnë masat

10.05.2020 19:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë...

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së lidhur me pandeminë COVID-19.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur”.

“Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij.”, ka shkruar Kurti.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë regjistruar gjithsej 880 raste me virusin Korona, 653 prej të cilëve janë shëruar dhe 28 kanë vdekur.