Putin, mbështetje Serbisë për Kosovën

16.10.2014 17:32

Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar se do ta ndihmojë Serbinë për të gjitha çështjet lidhur me Kosovën.........

Ai këtë premtim e ka dhënë gjatë vizitës së tij në Beograd, ku mori pjesë në një paradë ushtarake në këtë vend. Putin, i tha presidentit serb, Tomislav Nikoliq, se Rusia mbetet e vendosur dhe e pandryshueshme në raport me Kosovën.

“Kemi ndërmend ta përkrahim Serbinë. Ne kemi qëndrim parimor mbi këtë çështje dhe nuk do të ketë ndryshime. Rusia, e ka ndihmuar Serbinë në të kaluarën dhe do ta ndihmojë edhe në të ardhmen. Në Rusi, miqësia nuk është tregti, për Kosovën, nuk bëhet fjalë vetëm për parimet apo miqësinë e mirë mes Rusisë dhe Serbisë, por për të drejtën ndërkombëtare”- deklaroi presidenti rus, Vlladimir Putin.

Serbia ka çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por në të njëjtën kohë mban në nivelin më të lartë marrëdhëniet me Rusinë, vend ndaj të cilit BE vetëm vitin e fundit i ka vendosur dhjetëra sanksione.

“Serbia te Rusia sheh një mik të madh e të ndershëm, që e ndihmon në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën”- tha presidenti serb, Tomisllav Nikoliq.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u dekorua nga presidenti Nikoliç me medaljen e Republikës së Serbisë, nderimin më të madh të këtij shteti.

Pas Nikoliçit, Putin u takua edhe me kryeministrin, Aleksander Vuçiç. Kreu i Kremlinit, mori pjesë edhe në një paradë të madhe ushtarake që u mbajt  në Beograd me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit serb nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila u mbajt 4 ditë përpara kohe për nderë të presidentit rus. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)