Maqedoni

Kumanovë, fillon normalizimi i jetës, hapen të gjitha xhamitë

12.05.2020 15:34

Me uljen graduale të numrit të të prekurve nga COVID-19, por edhe me numrin e të shëruarve...

 
Me uljen graduale të numrit të të prekurve nga COVID-19, por edhe me numrin e të shëruarve, në Kumanovë ka filluar normalizimi i jetës, kuptohet me ndërmarrjen e masave të rekomanduara nga autoritetet shëndetësore. Pas vendimit të BFI-së, të martën janë hapur të gjitha xhamitë në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, me ç’rast për shkak të orës policore do të kryhen vetëm namazet e drekës dhe ikindisë. Kuptohet, hapja e xhamive u bë në bazë të rekomandimeve për mbrojtje nga virusi Korona.
 
“Kemi bërë pastrimin dhe dezinfektimin e të gjitha xhamive, pra ne si Muftini jemi të gatshëm për faljen e namazeve. Kërkohet nga xhemati që kur të vijnë për në xhami të mbajnë maska si dhe të dezinfektojnë duart, ç’do besimtar e ka për obligim që me vete të merr sexhade personale, sa më tepër të shfrytëzohen hapësirat jashtë xhamive, të ruhet distanca gjithashtu kërkohet nga Rijaseti që ligjëratat fetare të jenë sa më të shkurta jo më shumë se 10 minuta dhe abdesi të mos merret në abdes hanet e xhamisë, por të merret në shtëpi.”, theksoi për TVM2 myftiu i Myftinisë së BFI-së – Kumanovë, Abedin Imeri.
 
Shtabi i Krizës kërkon edhe hapjen e restoranteve dhe rifillimin e transportit urban
 
Edhe Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë ka kërkuar nga Qeveria e RMV-së masa lehtësuese për ringjalljen e subjekteve ekonomike duke rihapur kafenetë, restorantet, hotelet dhe veprimtaritë tjera shërbyese, si dhe dyqanet e zejtarëve. Gjithashtu kërkohet që gradualisht të fillojë edhe lehtësimi për rifillimin e transportit urban në qytet. Ndër kërkesat e Shtabit madje është edhe ndërprerja e masave preventive për dezinfektimin e hapësirave nëpër institucionet shtetërore, kurse NP “Pastrim dhe gjelbërim” të vazhdojë vetëm me dezinfektimin e rrugëve në qytet.
 
FATLUM AQIFI