Botë

Shqipëri, regjistrohen vetëm 4 raste të reja me Kovid-19

12.05.2020 16:13

Në Shqipëri janë regjistruar vetëm 4 raste të reja me Kovid-19....

Në Shqipëri janë regjistruar vetëm 4 raste të reja me Kovid-19 në 24 orët e fundit. Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme.                                                           
“Në 24 orët e fundit janë testuar 243 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Që nga fillimi i epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64%. Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Krujë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat. Të shëruar janë 28 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 876 qytetarë. 682 qytetarë janë shëruar, ose rreth 78% e të gjithë të prekurve. Në të gjithë vendin aktualisht janë 163 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamzë. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 24 pacientë dhe vetëm një prej tyre është në terapi intensive.”,- deklaroi Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik. 
 
Ministrja e shëndetësisë në Shqipëri ka planifikuar që nga 18 maji të mbyll spitalin COVID “Shefqet Ndroqi”. Autoritetet shqiptare po ashtu kanë filluar lehtësimin e masave, përfshirë edhe hapjen e disa bizneseve.
 
Kosovë, Hoti: Ditët e fundit rritet numri i të infektuarve
 
Edhe Komiteti për menaxhimin e pandemisë në Kosovë po planifikon zbutjen e masave. Por, zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se nëse vazhdon të bie disiplina e qytetarëve, atëherë mund të ketë shtyrje e lehtësimit të masave. 
                                                              
“Dy-tre ditët e fundit kemi pasur rritje të rasteve me Kovid-19. Kjo është një tregues që na jep të kuptojmë se duhet të jemi shumë më tepër të kujdesshëm. Fazat e hapjes graduale kanë paraparë një hapje që të krijojnë një shëndet për ekonominë, duke respektuar shëndetin publik të qytetarëve. Por është shumë me rëndësi që në ditët në vazhdim qytetarët dhe bizneset të tregojnë një kujdes më të madh në zbatimin e masave, me qëllim që faza tjetër e hapjes graduale të shkojë sipas planit të paraparë.”,- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë - Kosovë, Faik Hoti. 
 
Ndryshe, në Kosovë, në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë edhe një paciente e infektuar me Covid-19. Viktima është një 63 vjeçare nga Rahoveci dhe ishte duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Ky rast e çon në 29 numrin e të vdekurve në Kosovë nga virusi Korona.
 
GYLTENE SINANI