Botë
Covid 19, rriten rastet në SHBA e Rusi
13.05.2020 12:56
Shtetet e Bashkuara shënuan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga Covid-19..
Shtetet e Bashkuara shënuan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga Covid-19, të cilat e çojnë në 82,387 numrin e përgjithshëm të vdekjeve.
Numri total i të infektuarve në SHBA aktualisht qëndron në mbi 1.3 milion. Amerika ka nisur megjithatë lehtësimin e masave por eksperti i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, paralajmëroi dje se rihapja e shpejtë e ekonomisë mund të sjellë vuajtje dhe vdekje të panevojshme. Mesazhi i tij u interpretua si kundërshim i qëndrimeve të presidentit Donald Trump, i cili do që ekonomia amerikane të rihapet sa më shpejt.
Rusia tështë vendi i dytë më i prekur në botë nga Covid-19 pas SHBA-së, sipas statistikave nga universiteti John Hopkins. Deri më tani në vend janë regjistruar 232,243 raste të konfirmuara dhe 2,116 viktima. Rusia ka regjistruar mbi 10 mijë raste të reja me koronavirus për 10 ditë me radhë. Pavarësisht shifrave presidenti Putin lehtësoi masat kufizuese për të gjithë sektorët e ekonomisë.
Austria do të fillojë t’i lehtësojë kontrollet kufitare me Zvicrën në ditët në vijim. Zvicra ka rreth 30.400 të infektuar dhe 1.561 raste të vdekjes, ndërsa Austria ka paraqitur 16.000 infektime dhe 600 raste të vdekjes. Gjermania ka ndër mend t’i hapë kufijtë me fqinjët në qershor. Prej sot hapet kufiri gjermano-austriak për banorët e rajonit kufitar, si dhe për ata të cilët punojnë përtej kufirit, pasi që ishte arritur marrëveshje për hapje të disa vendkalimeve më të vogla. Prej 15 qershorit, kufijtë mund të hapen plotësisht.
