Kosovë, Kurti: 100 ditë qeverisje, 100 pengesa
Qeveria e Albin Kurtit mbushi 100 ditët e funksionimit jo të lehtë politik....

Qeveria e Albin Kurtit mbushi 100 ditët e funksionimit jo të lehtë politik. Që nga dita e 53 ekzekutivi Kurti funksionon si Qeveri në detyrë, pasi u shkarkua nga mocioni i ngritur nga partneri i koalicionit LDK-ja, pas mosmarrëveshjeve për bashkëqeverisje , e që u përkrah edhe nga partitë opozitare.
Kurti në ekspozenë e këtyre 100 ditëve të vështira, akuzoi kundështarët politikë për pengesat, e tha se gjatë 100 ditëve të qeverisjes 90 përqind e energjisë së tij personale dhe kabinetit qeveritar ka shkuar në luftën kundër virusit korona.
“Për këto 100 ditë kemi marrë gati 200 vendime, por kemi pasë 100 pengesa. . Pandemia, presidenti i frustruar dhe që sfidonte punën e Qeverisë dhe një opozitë që u angazhua ta rrëzojë Qeverinë. Pandemia e ka konsumuar energjinë e Qeverisë dhe timen si kryeministër. As 10 përqind e energjisë nuk janë përqendruar nga sulmet e vazhdueshme. Ky është standard i ri. Janë bërë 100 ditë të Qeverisë, këtë duhet ta shohim në dy rrafshe, dy 50 ditësha, ku kishim një parlament funksional dhe në të dytën nuk e kishim. Iniciativat ligjore janë bërë të pamundura dhe së dyti duhet ta shohim në pikëpamjen e kohës ku 90 përqind e energjisë ka shkuar në luftimin e pandemisë. Paramendoni sikur të kishim 100% kohë!” – është shprehur Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
PDK: Kurti rrëzoi veten në fillim të pandemisë
Për PDK-në, 100 ditëshi i kësaj qeverie duhet të quhet qeveria e 100 dështimeve. Sipas PDK-së, Qeveria Kurti e rrëzoi veten në fillim të pandemisë, sepse nuk ka pasur guxim të merret me temat e ndejshme , si lufta me “Covid 19” dhe si dialogu me Serbinë.
“Kjo Qeveri do të mbahet mend me të drejtë si Qeveria më jetëshkurtër në historinë e re të Kosovës që rrezikoi më së gjati vendin tonë. Kjo qeveri e inicoi shkarkimin e saj në kohën më të rrezikshme për qytetarët, pikërisht në fillim të pandemisë. Mbi të gjitha, Qeveria Kurti për 100 ditë rrezikoi miqësinë e shenjtë me SHBA-të dhe do të mbetet e fundit që kërcënoi këtë raport historik. Kryeministri Kurti është zyrtari i parë shtetëror që akuzoi rëndë SHBA-të për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë” – ka theksuar deputetja nga rradhët e PDK-së, Floretë Zejnullahu.
Funksionimi i qeverisë Kurti tani do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila do do ti jap dritë jeshile funksionimit të saj deri në zgjedhjet e parakohshme pas pandemisë apo gjatë saj, ose do t’i jap të drejtën që LDK të formojë Qeverinë e udhëhequr nga Abdulla Hoti, një koalicion i përbashkët me AAK, NISMA-AKR, Listën Serbe dhe pakicat e tjera.
