“Covid 19”, rriten rastet në SHBA, Rusi dhe Brazil

13.05.2020 19:36

Shtetet e Bashkuara shënuan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga Covid-19...

Shtetet e Bashkuara shënuan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga Covid-19, të cilat e çojnë në 82,387 numrin e përgjithshëm të vdekjeve. 

Numri total i të infektuarve në SHBA aktualisht është  mbi 1.3 milion. Rusia është vendi i dytë më i prekur në botë nga Covid-19 pas SHBA-së. Deri më tani në vend janë regjistruar 232,243 raste të konfirmuara dhe 2,116 viktima.

Rusia ka regjistruar mbi 10 mijë raste të reja me koronavirus për 10 ditë me radhë. Brazili regjistroi numrin më të madh të viktimave nga virusi korona brenda një dite.  Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 881 njerëz humbën jetën të martën, duke e çuar në 12,400 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend.

Me këtë shifër, Brazili, i cili është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit në Amerikën Latine, është tani vendi i gjashtë më i goditur sa i përket numrit të viktimave.

Numri i të infektuarve është mbi 177,000. Në vendet europiane ndërkohë kanë filluar lehtësimet e masave.  Austria do të fillojë t’i lehtësojë kontrollet kufitare me Zvicrën në ditët në vijim.

Zvicra ka rreth 30.400 të infektuar dhe 1.561 raste të vdekjes, ndërsa Austria ka paraqitur 16.000 infektime dhe 600 raste të vdekjes.

Gjermania ka hapur prej sot  kufirin me Austrinë  për banorët e rajonit kufitar. Prej 15 qershorit, kufijtë mund të hapen plotësisht.

Edhe Britania e Madhe sot  ka hequr disa nga masat , duke bërë kështu hapat e parë drejt normalizimit të jetës në vend. Në fazën e parë, qytetarët do të lejohen të kalojnë më shumë kohë jashtë duke respektuar distancën prej  së paku dy metra.