Botë
SHBA, hakerët kinezë po pengojnë kërkimet për Kovid-19
14.05.2020 13:30
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se hakerë të lidhur me këtë vend...

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se hakerë të lidhur me këtë vend po sulmojnë organizatat amerikane që po kryejnë kërkime për sëmundjen Covid-19. Byroja Federale e Hetimeve dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës kanë thënë se janë duke hetuar “aktorë kibernetikë dhe koleksionistë jotradicionalë” të lidhur me Kinën, që kanë shënjestruar organizata, të cilat kanë kryer kërkime për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara.
“Këta aktorë janë vëzhguar teksa kanë qenë duke tentuar që të identifikojnë dhe marrin pronë intelektuale dhe të dhëna të shëndetit publik që lidhen me vaksina, trajtime dhe testime të personelit të lidhur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi”, është thënë në deklaratë, por ende nuk janë ofruar shembuj të aktivitetit kibernetik.
Kina, mund të sanksionohet nga zyrtarë amerikanë
Kina mohon këto pretendime. Ambasada kineze në Uashington, i ka konsideruar pretendimet e fundit si “gënjeshtra”. Pandemia me koronavirus ka thelluar mospajtimet në mes të këtyre dy shteteve, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, akuzon Kinën se është përgjegjëse për përhapje të virusit në gjithë botën. Poashtu deri më tani janë ngritur gjashtë padi kundër Pekinit në gjykatat federale amerikane, nga shteti i Misurit i cili i pari paditi qeverinë kineze.
Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, deklaroi se virusi “doli nga një laborator në Vuhan”. Por, Kina mund të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të shtetit amerikan në shenjë hakmarrjeje ndaj padive të ngritura kundër Pekinit mbi pandeminë e virusit Korona. Sipas të përditshmes lokale “Global Times” me qendër në Pekin, zyrtarët identifikuan të paktën katër ligjvënës amerikanë dhe dy subjekte amerikane që duhet të futen në listën e sanksioneve të Kinës.
“Kina është jashtëzakonisht e pakënaqur nga abuzimi i çështjeve gjyqësore nga ShBA-të kundër Kinës për epideminë COVID-19 dhe po përgatit masa ndëshkuese kundër individëve, subjekteve dhe zyrtarëve shtetërorë të ShBA-së, të cilët ngritën padi kundër Kinës për të kërkuar dëmshpërblim mbi pandeminë e virusit Korona”,- thuhet në raport. Sipas raportit prokurori i përgjithshëm i Misurit, Eric Schmitt, mund të jetë një nga zyrtarët amerikanë që përballen me sanksione.
REJHANE BUSHI METAJ
