Vijon tërheqja e militantëve të ISIS-it nga Kobani
Militantët e Shtetit Islamik janë tërhequr nga pjesa më e madhe e qytetit kufitar sirian, Kobani.........

Të paktën kështu ka deklaruar për rrjetin BBC një nga komandantët e ushtrisë kurde, e cila ka më shumë se tre javë që lufton Shtetin Islamik.
Baharin Kandal, tha se luftëtarët janë zmbrapsur thuajse nga të gjitha fushat, me përjashtim të rezistencës në lindje të qytetit verior. Duke folur në lidhje telefonike, komandanti kurd tha se shpreson që qyteti të çlirohet së shpejti.
Sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA, kanë ndihmuar në zmbrapsjen e militantëve me 14 operacione të kryera në 24 orët e fundit. Kobani, po konsiderohet si provë e madhe e koalicionit ndërkombëtar, iniciativë e presidentit Obama për të luftuar shtetin islamik. Sipas komandës qendrore amerikane, si pasojë e sulmeve të fundit janë shkatërruar me sukses 19 ndërtesa të ekstremistëve.
Ndërkohë, komisioneri i ri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al Hussein, ka konsideruar grupin si një “lëvizje potencialisht gjenocide”.
Kurse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, u shpreh i alarmuar për gjendjen në Siri. Ai bëri thirrje për parandalimin e masakrave dhe mbrojtjen e civilëve në Kobani. Ban, tha se të gjithë banorët e Sirisë janë përballë një kërcënimi të pashmangshëm.
