Rama konfirmoi se do të shkojë në Beograd
Në një intervistë të dhënë për Agjencinë e Lajmeve “Reuters”, kryeministri shqiptar ka hequr çdo dyshim, duke konfirmuar kështu se do të shkojë në Beograd........

Ai është shprehur se ndjehet i zhgënjyer për reagimet që patën zyrtarët e lartë të politikës serbe, por kjo nuk do ta ndalë që të çojë përpara synimet e përcaktuara. Rama u shpreh nga Bostoni se nuk do të lejojë që ato vërejtje apo deklarata të pabaza ta shtyjnë apo anulojnë vizitën e tij në Serbi.
Kryeministri u shpreh se qëllimi është të mos nisemi nga kjo politikë e së kaluarës dhe urrejtja që ajo mbart. Ai konfirmoi nga jashtë Universitetit të Harvardit në Boston se është i vendosur që të ecë përpara dhe të mos udhëhiqet nga ajo ç’ka ndodhi në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Ai tha për “Reuters” se është e pabesueshme mënyra se si reaguan autoritetet e Serbisë.
Rama tha se është e qartë që droni ka ardhur nga jashtë dhe jo nga brenda stadiumit, ku nuk u lejua as shalli me simbolet shqiptare. Ai u shpreh se përse nuk llogariten thirrjet, kërcënimet dhe fyerjet etnike drejtuar shqiptarëve në atë stadium.
Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk do të kundërpërgjigjet po njësoj. Kjo jo sepse shqiptarët janë engjëj, por sepse shqiptarët kanë si qëllim dhe janë të bindur se Evropa është destinacioni i tyre. Ata duan të bëhen pjesë e familje së madhe evropiane.
