Botë
18 raste pozitive në Shqipëri, Manastirliu: Po vazhdoi rritja, rikthehemi pas
15.05.2020 15:54
Në 24 orët të fundit në Shqipëri janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19...

Në 24 orët të fundit në Shqipëri janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Pas shtimit të numrit të të sëmurëve që vjen pas një disa ditëve me shifra të ulta, autoritetet thonë se nëse do të vijojnë rritjet e rasteve, mund të përdoren frenat e emergjencës.
“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes.”- tha Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në spitale aktualisht ka 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive. Deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat.
LULJETA NDOKA
