Vlerësimi i BDI-së për rebalancin: Më shumë mjete për kompanitë e qytetarët
Me rebalancin e buxhetit të miratuar nga Qeveria...

Me rebalancin e buxhetit të miratuar nga Qeveria, sigurohen më shumë mjete për kompanitë dhe qytetarët, duke siguruar mbi 500 milion euro mjete të ri-dizajnuara nëpërmjet tri masave kryesore, dy prej të cilave tanimë janë implementuar, ndërsa masa e tretë është në përpilim e sipër.
Kështu vlerëson Shiret Elezi nga BDI, e cila mban edhe postin e zëvendësministres së financave.
“Siguruar mjete për mbi 200 mijë të punësuar, 30 mijë kompani mikro, të vogla dhe të mesme, përfshirë këtu edhe zejtarët individualë. Ndihmë prej 7 mijë denarë prej 15 deri 20.000 të papunë, 120 mijë qytetarë me të ardhura të ulëta, 100 mijë studentë dhe nxënës, 50 mijë bujq dhe fermerë, mjete për stimulimin e personelit mjekësor që ishte i pari në luftën me pandeminë Kovid-19, sigurojmë mjete për sportistët, për artistët, sigurojmë mjete për 320 mijë pensionistë.”,- tha Shiret Elezi nga BDI.
Sipas Elezit, qëllimi i masave është rimëkëmbja e ekonomisë vendore pas krizës shëndetësore-ekonomike, ruajtja e likuiditetit të kompanive vendore, ruajtja e vendeve të punës, sigurimi i mbrojtjes sociale si ndihmë për qytetarët e papunë dhe rastet sociale, përkrahja për sektorët më të prekur nga kriza e virusit Covid-19 si turizmi, hoteleria, transporti, zejtarët individual, sportistët e artistët, të punësuarit në ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme, studentët e nxënësit, stimulim për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë, paga stabile për administratën shtetërore si dhe pensione në kohë.
LSDM: Me rebalancin synojmë rimëkëmbjen e ekonomisë
Në linjë të njëjtë janë edhe nga LSDM nga e cila theksuan se rebalanci i buxhetit ka një qëllim të qartë, rimëkëmbjen e ekonomisë nëpërmjet financimit të masave për tejkalimin e pasojave nga virusi Korona.
“Me rebalancin të hyrat buxhetore zvogëlohen për 11, 5% dhe e njëjta arrin 196, 8 miliard denarë, derisa shpenzimet rriten për 1,4% dhe e njëjta arrin në 242,9 miliard denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 6,8% dhe i njëjti është në linjë me projeksionet e Komisionit Evropian. Nëpërmjet rebalancit me tre miliard denarë shtesë për programin “Kovid”, qeveria e udhëhequr nga LSDM po krijon masa për stimulimin e konsumit privat me qëllim të përkrahjes së ekonomisë maqedonase si dhe prodhimeve maqedonase dhe shërbimeve.”,- u shpreh Fatmir Bitiqi nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Rebalanci i dedikuar për korrupsion parazgjedhor
Por, rebalancin e kanë kritikuar nga VMRO-DPMNE, sipas të cilës ky rebalanc i buxhetit është bërë për korrupsion parazgjedhor.
“Gjendja në ekonomi është më shumë se alarmante, në katër muajt e parë kemi deficit prej 200 milion eurosh. Në këto rrethana u bë rebalanci që është dedikuar për korrupsion parazgjedhor. Kjo vjen në situatë kur shteti dhe qytetarët nuk kanë nevojë për ndihmë të tillë dhe blerje, por të gjithë ne na duhet strategji si zgjidhje e qëndrueshme me të cilën do të dalim nga kriza shëndetësore dhe ekonomike.”,- u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska nga VMRO-DPMNE.
ASh:Rishikimi i buxhetit, me prioritet zgjedhjet
Edhe për Aleancën për Shqiptarët rishikimi buxhetor kishte prioritet zgjedhjet dhe jo ekonominë.
“Edhe me këtë rishikim buxhetor vazhdon logjika e njëjtë edhe pse në kohë krize, theksohet dimensioni politik dhe jo ai financiar dhe ekonomik i buxhetit. Me këtë rishikim qeveria e demanton veten në të gjitha skenaret që i paraqitën deri më tani. Zvogëlimi i të hyrave buxhetore në skenarin më optimist të Ministrisë së Financave parashihte zvogëlim prej 20%, ndërsa të njëjtat janë planifikuar vetëm 11,5%. Duke qenë të kufizuar në informata dhe duke mos e ditur edhe dinamikën e ristartimit dhe hapjes së ekonomisë dyshojmë se ky planifikim është i qëndrueshëm i të hyrave buxhetore. Ndoshta planifikohet edhe ndonjë rritje tatimore si ajo e akcizave së fundmi.”,- tha Elmi Aziri nga ASh.
Me këtë rebalanc qeveria do të shpenzojë rreth 53.7 milion euro më shumë këtë vit sesa kishte planifikuar fillimisht. Të hyrat janë planifikuar në 3.2 miliardë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë të planifikuara në 3,95 miliardë euro.
Me rebalancin ulen disa shpenzime joproduktive, ndërsa nuk do të ketë ulje të pensioneve dhe të pagave të administratës.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 19,5 miliard denarë, apo 4,2 miliard denarë më pak nga ajo që ishte planifikuar fillimisht. Me rebalancin pritet që ekonomia vendore këtë vit të shënojë ulje prej 3,4%. (Sedat Selimi, TVM2)
