Italia lejon udhëtimet nga 3 qershori

16.05.2020 17:09

Qeveria e Italisë ka nënshkruar një dekret që lejon udhëtimet nga dhe për në Itali...

Qeveria e Italisë ka nënshkruar një dekret që lejon udhëtimet nga dhe për në Itali, prej më 3 qershor. Në aeroportin më të frekuentuar në Romë janë marrë të gjitha masat për të nisur fluturimet, por gjithsesi mbetet obligimi për mbajtjen e maskave.                                                                  

“Në aeroport është e obligueshme të mbani maskë, nga hyrja në ndërtesë deri në hyrjen në aeroplan. Bëjmë dezinfektim dhe duhet të mbahet distancë. Po ashtu janë të nevojshme certifikata personale për organet policore. Bëjmë kontroll të temperaturës nëpërmjet të së cilës mundësohet ndalja e udhëtarëve të dyshimtë. Në aeroport ka sistem të fuqishëm të klimatizimit dhe filtrimit që e pastrojnë ajrin deri në 99%.”,- deklaroi drejtori operativ i Aeroportit të Romës, Ivan Bassato.

Ky vendim shënon një hap të madh të rihapjes së ekonomisë  italiane pas më shumë se dy muaj izolimi. Italia ishte vendi i parë në Evropë që filloi me masat e izolimit në luftimin e pandemisë COVID-19, por filloi t’i relaksojë këto masa më 4 maj, me hapjen e disa fabrikave dhe parqeve. Dyqanet dhe restorantet pritet të hapen nga 18 maji, me distancë sociale të detyruar.

Edhe besimtarët e Kishës Katolike do t’u rikthehen riteve fetare në kisha nga e hëna, por me masa të shtuara të mbrojtjes nga virusi.

Grupi baltik, Lituania, Letonia dhe Estonia hapin kufijtë

Po ashtu Lituania, Letonia dhe Estonia kanë hapur kufijtë, duke krijuar grupin e parë të udhëtarëve në Bashkimin Europian, me shpresën për të përmirësuar ekonominë e goditur nga pandemia e koronavirusit.

Dhjetëra oficerë të policisë kufitare hoqën shenjat e automjeteve që sinjalizojnë ndalimin në kufi. Mediet lokale raportuan se më pas ata u mblodhën përgjatë rrugës për të ngrënë tortë dhe për të pirë kafe.

“Grupi baltik i udhëtarëve është një mundësi për të rifilluar biznesin dhe një fije shprese për njerëzit, jeta e të cilëve po kthehet në normalitet”, theksoi kryeministri i Lituanisë, Saulius Skvernelis.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur optimist për perspektivat e zhvillimit të një vaksine kundër koronavirusit deri në fund të vitit, pasi ai e përshkroi projektin e gjerë si përpjekjen më të madhe shkencore që nga zhvillimi i bombës atomike. Por ai shtoi se ndërsa shpresonte për një vaksinë deri në fund të vitit, vendi po ecte përpara duke kaluar pengesat ekonomike. Ndryshe në nivel botëror nga Kovid-19 janë infektuar më shumë se 4 milion e 491 mijë e 730 raste, 304 mijë e 619 prej të cilëve kanë vdekur, ndërsa mbi një milion e 571 mijë e 100 janë shëruar. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)