OEMVP: Masat të mira në letër, aplikimi i ndërlikuar

16.05.2020 17:44

Prej më shumë se dy muaj, restorantet, baret dhe kafenetë janë të mbyllura tërësisht....

Prej më shumë se dy muaj, restorantet, baret dhe kafenetë janë të mbyllura tërësisht, ndërsa ndihma që ofrohet nga shteti janë selektive, ankohen pronarët, sipas të cilëve ndihmat nuk janë të mjaftueshme për mbijetesë.

Ata kërkojnë që në fazën e tretë të ndihmave të përfshihet edhe qiraja. Këtë qëndrim e konfirmojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veri-perëndimor, nga e cila theksojnë se në letër masat janë shumë të mira, por aplikimi është i ndërlikuar.

“Problem është se në letër këto masa nuk duken edhe aq të këqija pa marrë parasysh se nuk i plotësojnë kërkesat e bizneseve. Mirëpo procedura e aplikimit për këto masa është shumë e koklavitur, shumë e stërzgjatur, pasi ka shumë institucione të cilat duhet të japin aprovimin në sistem dhe kjo shkakton pakënaqësi tek biznesi, veçanërisht në këtë periudhë kur kemi mungese të likuiditetit, ku për dy muaj resht ato nuk kanë siguruar as subvencionet e para.”,- tha drejtori në OEMVP, Drilon Iseni.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veri-perëndimore më tej shprehen se edhe me vaucerët që pritet të ndajë qeveria në fazën e tretë për qytetarët, disa bizneseve u pamundësohet të përfitojnë pasi si kusht është të shërbejnë prodhime vendore. Ndërsa dihet se ne vendin tonë sa hoteleri dhe restorante shërbejnë produkte vendore.

“Qeveria në fazën e tretë të masave për fazën e Covidit synon më shumë të përkrahë ekonominë nëpërmjet stimulimit të konsumit. Mirëpo edhe këtu ka shumë momente problematike, pasi për faktin që vaucerët që do të ofrohen nga ana e qeverisë janë të kufizuara me produkte vendore. Në parim nuk është diçka e keqe por të shihet aspekti i realizimi është shumë problematik, pasi sa nga objektet hotelerie dhe restorante shërbejnë produkte vendore klientëve dhe kjo e vendon në pikëpyetje komplet konceptin e qeverisë, në përkrahjen e bizneseve vendore nëpërmjet vauçerëve.”,- tha drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Oda Ekonomike e Maqedonisë  veri-perëndimor është e mendimit që Qeveria sa më shpejtë duhet të marrë vendime më të guximshëm dhe t’u dalë në ndihmë konkrete bizneseve dhe sipas tyre duhet të fillojë të funksionojë ekonomia, pasi në të kundërtën rrezikohen shumë kompani. (Visar Sadiki, TVM2)