Protesta në Gjermani, kundër masave të qeverisë për kufizime
Në disa qytete të mëdha gjermane...

Në disa qytete të mëdha gjermane, protestuan mijëra njerëz kundër kufizimeve të jetës publike.
Në Shtutgart, menjëherë pas fillimit të tubimit, u arrit numri i aprovuar prej 5000 pjesëmarrësish. Edhe në Mynih, shumë më tepër njerëz se numri i lejuar prej 1 000 personave, donin të shkonin në Theresienwiese, ku zhvillohet çdo vit festa e famshme e birrës (Oktoberfest).
Por policia e kishte bllokuar territorin, prandaj edhe njerëzit në fillim u radhitën rreth e përqark zonës së protestës, derisa i shpërndau policia. Protestuesit ishin në përgjithësi paqësorë dhe iu përmbajtën kushtit të vënë nga Bashkia e Mynihut për të ruajtur distancën prej 1,5 metrash.
Tubime u zhvilluan edhe në qytete të tjera gjermane, si Berlin, Nuremberg, Leipzig, Bremen dhe Frankfurt. Në shumë vënde kishte edhe kundërprotesta. Në banderola shiheshin mbishkrime si “Dinjiteti i njeriut është e mira më e madhe, jo shëndeti i tij”, “Maskat nuk ndihmojnë kundër gënjeshtrave” ose “Stop vaksinimit”.
Kundër-demonstruesit thërrisnin: “Nuk ka të drejtë për propagandë naziste”.
Shumë vëzhgues janë të shqetësuar se këto protesta mund të shfrytëzohen nga djathtistët.
