Tani është momenti kur tifozët do të tregojnë lojalitet ndaj klubit
Në mbledhjen e përbashkët dy kryesive të Shkëndijës dhe Vardarit, përfaqësuesve të FFM-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjithë ata që në një mënyrë do të jenë të kyçur në këtë takim, ku u vendos të ndalohet prezenca e tifozëvë mysafit në takimet Shkëndija-Vardari të dielën dhe Vardari-Shkëndija të mërkurën.......

Pa tifozë mysafirë në Tetovë dhe Shkup
Ndeshja e xhiros së 11-të të LPFM-së ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit është në qendër të vëmendjes në opinionin sportiv në Maqedoni dhe më gjërë, ndërsa rivaliteti i madh ndërmjet skuadrave bën që ky takim të trajtohet ndryshe. Duke ditur qëndrimet dhe ndëshkimet që shpesh herë në të kaluarën janë marrë ndaj Shkëndijës, duket përfundimisht se tani është momenti kur tifozët duhet të tregojnë lojalitetin, dashurinë dhe gjithë atë që ndjejnë ndaj ekipit ‘kuqezi’. Ngjarjet e fundit në takimin eliminator për Euro 2016 ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë i japin një dimension tjetër këtij takimi dhe të shumtë janë ata që presin incidente dhe skena të pahijshme edhe të dielën në Tetovë. Njëkohësisht Federata e futbollit të Maqedonisë paralajmëron ndëshkime rigoroze për çdo incident eventual, përfshi këtu edhe sharjet dhe ofendimet në baza nacionale, ferate dhe racore. Për këtë qëllim publiku tetovar do të jetë para një testi serioz por jo të pakalueshëm, pasi të dielën është momenti kur duhet të tregohet përmbajtje e madhe dhe injorim i çdo provokimi eventual, në momentin kur sytë e të gjithëve do jenë të drejtuar kah Tetova në pritje të incidenteve që do sjellin ndëshkime për klubin, publiku pritet t’u jep përgjigjen adekuate se ne jemi popull i civilizuar, me kulturë të lartë evropiane dhe se në asnjë moment nuk ngatërojmë politikën me sportin. ‘Shkëndija mbi të gjitha’ është sllogani i klubit tonë dhe tani pritet të gjithë të bashkuar si një, mos lejojmë as një sharje të vetme e cila do të hapte mundësinë e ndëshkimit të klubit. Në suaza të gjithë kësaj, duke dashur që takimi i të dielës të kalojë në frymën e korektësisë dhe fer plejt, kryesia e klubit ka marë gjithë masat e nevojshme për organizim të mirëfilltë të këtij takimi, ndërsa të premten me kërkesë të Federatës së futbollit të Maqedonisë u mbajt mbledhje në të cilën morën pjesë përfaqësues të Shkëndijës, Vardarit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, delegati dhe arbitri i takimit, përfaqësues të FFM-së, komesaret për siguri të dy klubeve dhe federatës dhe gjithë ata që në një mënyrë do të jenë të kyçur në këtë takim. Duke dashur të shmanget çdo incident eventual të takimin e të dielës, por edhe atë të ditës së mërkurë në kuadër të Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit, është vendosur që të ndalohet prezenca e tifozëvë mysafirë në këto dy përballje. Është precizuar se ndalohet edhe udhëtimi i simpatizuesëve të zakonshëm dhe jo vetëm grupeve të organizuara të tifozëve, si që janë ‘Ballistët’ dhe ‘Komitët’. MPB do të ndalojë çdo simpatizues të Vardarit për të udhëtuar të ndjekë ndeshjen në Tetovë dhe çdo simpatizues të Shkëndijës për takimin e të mërkurës në Shkup. KF Shkëndija dhe KF Vardari në bashkëpunim me Federatën e futbollit të Maqedonisë kategorikisht kanë cekur se do t’i kundërvihen gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit, të vandalizmit dhe jo tolerancës, për çka bashkarisht vlerësojnë se duhet të jenë sa më larg arenave sportive dhe për këtë do të ndërmeren të gjithë masat në drejtim të përmirësimit të ambientit futbollistik. Federata e futbollit të Maqedonisë në aktivitet të përbashkët me dy klubet sërisht rikutjon se në futboll nuk ka vend për nacionalizëm, jo tolerancë dhe dhunë. Federata e futbollit të Maqedonisë ndërlidhet me platformën e UEFA-së dhe FIFA-s për respektimin e lojës dhe gjithë segmenteve të saj. Të respektohet loja, të respektohen rregullat, arbitrat, kundërshtarët, tifozët. Të respektohen dallimet. Në terenet sportive duhet të mbizotërojë shpirti sportive dhe mbështetja. Ndeshjet të jenë festë për dashamirët e vërtetë të futbollit, ndërsa të gjithë ata që vërtet nuk e duan sportin dhe futbollin duhet të qëndrojnë jashta arenave sportive. (kfshkendija.com)
