Botë
Rrënohet Teatri Kombëtar në Tiranë - rezistencë, protesta dhe reagime
18.05.2020 12:02
Shembja e godinës së vjetër e Teatrit Kombëtar në Tiranë...

Shembja e godinës së vjetër e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ka ngjallur zemërime të shumta të artistëve dhe qytetarëve të cilët kanë tentuar të ndërhyjnë për të shpëtuar atë godinë me vlera historike për qytetin. Por, policia i ka penguar, duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Ata shprehen se veprimet e policisë tregojnë për një shtet policor e diktatorial, që nuk pyet për vlera, por vetëm për interesa personale. Një ditë pas shembjes së teatrit, ka nisur puna për largimin e inerteve.
Mëngjesin e sotëm nuk është vërejtur prani e aktivistëve, megjithatë është paralajmëruar protestë në orët e pasdites. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë të ditur se do të mbështesë protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Basha ka thënë se është vendimi i lidershipit për të mobilizuar maksimalisht strukturat, duke u bërë thirrje të gjithë opozitarëve shqiptarë, që sot të jenë totalisht në mbrojtje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në këtë protestë kundër këtij krimi makabër dhe shkelje flagrante të kushtetutës dhe ligjit. Edhe aktivistet e Aleancën kanë kërkuar prani sa më të madhe të qytetarëve në protestën e paralajmëruar për sot.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shkruar në Facebook se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje, ka shkruar Rama.
