Botë
OBSh: Kovid-19 mund të kthehet sërish në dimër
18.05.2020 15:47
Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë për valë të dytë të virusit Korona...

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë për valë të dytë të virusit Korona gjatë sezonit dimëror. Ky qëndrim u paraqit në takimin e 194 shteteve anëtare të mbajtur në formatin online.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në hapje të takimit tha se duhet të ketë më shumë unitet global në luftimin e Covid-19, ndërsa shfaqi shqetësimin se pandemia mund të jetë "edhe më shkatërruese në vendet në zhvillim". Nga ana tjetër, presidenti kinez, Xi Jinping, në fjalën e tij, mbrojti veprimet e Pekinit gjatë shpërthimit të pandemisë. "Të gjithë së bashku kemi vepruar me transparencë dhe përgjegjësi", tha ai.
Derisa Ministria e Jashtme e Kinës ka përsëritur kundërshtimin e Pekinit për një hetim mbi origjinën dhe përhapjen e virusit, duke thënë se një vlerësimi i tillë është i parakohshëm derisa pandemia ende po vazhdon. SHBA-ja tashmë ka ndalur fondet e saj për agjencinë dhe po promovon programin e vet të vaksinës kundër COVID-19, derisa Presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve lidhur me shpërthimin e epidemisë si dhe ka ngritur dyshime se virusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez.
Mbi 100 vende e kanë mbështetur thirrjen e Australisë për hetim të pavarur për origjinën e virusit. Muajin e kaluar, një raport i BE-së akuzoi Kinën për përhapjen e dezinformatave lidhur me krizën e koronavirusit. Por, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të dalin me një plan të përbashkët, për rimëkëmbjen e BE-së nga kriza e pandemisë së koronavirusit. "Plani ka të bëjë me fushat e shëndetësisë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin mjedisor dhe dixhital dhe sovranitetin industrial", ka bërë të ditur presidenti francez.
Evropa sapo ka filluar të dalë nga masat e izolimit të vendosura për të parandaluar përhapjen e virusit korona. Pas dy muaj ndërprerje Austria hapi shkollat fillore. Mësimi ka filluar edhe në Poloni, Danimarkë, Gjermani dhe Belgjikë. Punëtorët shëndetësorë me shpinë të kthyer e pritën konvoin e kryeministres në Bruksel, duke shprehur revoltën me mënyrën se si qeveria e trajtoi sektorin shëndetësor. Po ashtu në vendkalimin kufitar mes Rumanisë dhe Hungarisë janë regjistruar kolona veturash pas hapjes së kufijve. Më shumë se 4.5 milionë njerëz janë infektuar dhe më shumë se 300,000 kanë vdekur në nivel botëror, që nga shfaqja për herë të parë e virusit, në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
