Ekonomi

Masat ekonomike, “Fundjava pa TVSh” nis pas pandemisë. VMRO-DPMNE: Masat, ryshfet i pastër zgjedhor

18.05.2020 17:50

Fundjavë pa TVSh, të cilën Qeveria e paralajmëroi si masë për ndihmë të ekonomisë dhe qytetarëve...

Fundjavë pa TVSh, të cilën Qeveria e paralajmëroi si masë për ndihmë të ekonomisë dhe qytetarëve do fillojë të zbatohet menjëherë pas epidemisë, e kjo gjë sipas parashikimeve pritet të nisë nga muaji gusht dhe fillimi i muajit shtator.
 
Këshilltari ekonomik në kryeministri, Fatmir Bytyqi, theksoi se përfitues të kësaj mase do të jenë të gjithë qytetarët shfrytëzues të aplikacionit “Tatimi im”. Në periudhën e ardhshme do të ketë thirrje për aplikim për kartelat pagesore me vlerë prej 9 mijë denarë si dhe për vauçerët turistik me vlerë prej 6 mijë denarë.               
 
“Kjo masë parashihet të realizohet nga fundi i muajit gusht dhe fillimi i shtatorit dhe pritjet janë që pandemia të marrë fund. Gjithsesi nëse në atë periudhë ka rekomandime për mosgrupim, atëherë do të shohim momentin më të mirë se kur ajo do mund të realizohet. Vetëm shfrytëzuesit e aplikacionit “Tatimi im” do të mund të shfrytëzojnë këtë masë dhe vetëm produktet të cilët atë ditët shiten dhe do të kenë llogari fiskale hynë në paketën “Fundjavë pa TVSh”. Çdo masë e ka të targetuar grup të veçantë të qytetarëve. Kartelë vendase pagesore përfitojnë të gjithë të papunësuarit ose janë pranues të ndihmës minimale. Sipas evidencave tona, kjo përbën rreth 130 – 140 mijë qytetarë, por të gjithë këta nuk guxojnë të kenë të ardhura shtesë më vlerë mbi 15 mijë denarë. Për masën e dytë, nxisim turizmin vendor, targetojmë tjetër kategori të njerëzve, respektivisht të gjithë personat e punësuar të cilët nuk marrin neto pagë më të lartë se 15 mijë denarë. Dhe në kategorinë e tretë, të rinjtë si ndihmë për trajnime, mbulesë të participimit dhe të ngjashëm.”,- deklaroi këshilltari ekonomik në kryeministri, Fatmir Bytiqi.
 
Nga VMRO-DPMNE reaguan duke i quajtur këto masa ryshfet i pushtetit për qytetarët dhe përpjekje për t’i blerë ato.
 
“Të ashtuquajtura masat të LSDM-së janë ryshfet i pastër zgjedhor. LSDM mendon se ashtu do të mund t’i gënjejë qytetarët dhe t’i blejë ashtu me masa jothelbësore, të cilat nuk japin rezultate dhe janë vetëm sa për t’ua fërkuar sytë, ndërsa realisht e lënë ekonominë në pritje deri në shtator. Periudhën më të vështirë të krizës, ekonomia do duhet të mbijetojë pa ndihmë. Shumë kompani kanë mbetur në humbje dhe iu kërcënohet mbyllja. Qeveria nuk reagoi në kohë kur ekonomia dhe qytetarët kishin nevojë për masa, me çka ka krijuar një situatë në të cilën masat e zakonshme nuk ndihmojnë fare. VMRO-DPMNE alarmoi  me kohë, por vetëbesimi i kotë dhe arroganca e qeverisë ishin shumë të mëdha.”,- thuhet nga VMRO-DPMNE.
 
Nga Qeveria thonë se masat kanë për qëllim ndihmën ndaj bujqësisë dhe biznesit. Gjithashtu edhe punëtorët shëndetësorë të cilët janë të kyçur direkt në përballjen me pandeminë Covid-19 do të përfitojnë rritje të pagës prej 20 për qind për dy muajt e ardhshëm.
 
ZEKIRJA MEXHITI