Botë
Covid-19, mbi 4.8 mln të infektuar, rreth 2 mln të shëruar
19.05.2020 10:30
4 milion e 894 mijë e 278 raste infektimi dhe 320 mijë 189 të vdekur...

4 milion e 894 mijë e 278 raste infektimi dhe 320 mijë 189 të vdekur regjistrohen aktualisht në botë, që nga fillimi i pandemisë. Të paktën 1 milion e 909 mijë e 233 janë të shëruar. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 2.719 vdekje të reja dhe 77.737 raste infektimi në mbarë botën. Vendet me më shumë vdekje të reja në 24 orët e fundit janë SHBA me 667, Brazili me 485 dhe Britania e Madhe me 160. Sistemet shëndetësore në Brazil dhe Ekuador tashmë janë në kolaps.
Në Francë janë konfirmuar 70 raste në 40 mijë shkollat e vendit që u hapën për nxënësit javën ekaluar. Disa shkolla janë rimbyllur emësimi vazhdon on line. Numri i viktimave nga Covid-19 në Itali ndërkohë vijon të ulet. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 99 viktima. Italia po shënon edhe një numër të lartë të të shëruarve, 2.150 në një Ditë. Suedia ndërkohë qasja më e butë e së cilës ndaj pandemisë së koronavirusit ka tërhequr vëmendje në gjithë botën – ka regjistruar në prill muajin më vdekjeprurës në gati tri dekada. Zyra e Statistikave e Suedisë tha se 10,458 njerëz kanë humbur jetën në prill. Vendi ka edhe 30,377 raste të të infektuarve. Qasja suedeze ndaj virusit korona është kritikuar shumë, veçanërisht pasi numri i viktimave i ka tejkaluar ato në vendet fqinje nordike, të cilat kanë vendosur masa më të ashpra të kontrollit.
OBSH: Hetim i pavarur për trajtimin e pandemisë
OBSH ndërkohë po përballet me akuza se nuk e menaxhoi siç duhej krizën duke kushtuar shumë jetë njerëzish. SHBA ka pezulluar financimin për OBSH-në deri në përfundimin e një hetimi për pandeminë. Nga OBSH thonë se trajtimi i pandemisë do të hetohet në mënyrë të pavarur . megjithatë mbrohen se e kanë lëshuar herët alarmin.
“Do të iniciojmë një vlerësim të pavarur, në momentin e parë të duhur, për të shqyrtuar përvojën e fituar dhe mësimet e marra, si dhe për të bërë rekomandime, për të përmirësuar gatishmërinë dhe përgjigjet kombëtare dhe globale ndaj pandemisë.", tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, kryetar i OBSH-së.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar OBSH-në për keqmenaxhim të krizës . Presidenti amerikan Donald Trump madje i ka dërguar një letër ultimatumi me tone të ashpra Organizatës Botërore ku i jep kohë 30 ditë të bëjë përmirësime thelbësore. Nëse kjo nuk ndodh, Trump thotë se do i ndërpresë përherë fondet e SHBA-së për OBSH-në, si dhe do të vihet në diskutim edhe anëtarësimi i SHBA-ve në organizatë.
