Tiranë, teatri u shemb, përplasjet politike vazhdojnë

19.05.2020 18:53

Dy ditë pas shembjes së teatrit kombëtar....

Dy ditë pas shembjes së teatrit kombëtar dhe bojkotit të tryezës së reformës zgjedhore nga opozita , ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë zbarkuar në zyrën e kryedemokratit Lulzim Basha. Pas takimit, kryedemokrati tha se me diplomatër ka diskutuar kryesisht lidhur me ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe Integrimin e Shqipërisë, pa e përmendur nëse gjatë bisedës ishte prekur tema e teatrit. Megjithatë, i pyetur nga mediat, kreu demokrat tha se ishte pro një hetimi të thelluar ndërkombëtar lidhur me këtë çështje.

“Hetimi i tyre është kusht i patjetërsueshëm dhe një zotim i imi, që do të bëhet realitet vetëm kur vendi të mos kontrollohet nga qeveria. Nuk e di sa i mundur do të jetë në këto kushte, por me këtë qeveri ky krim nuk mund të hetohet” – tha Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Në takimin që pak minuta më vonë ambasadorja e SHBA zhvilloi me kryeministrin Edi Rama, çështja e teatrit nuk përmendet. Sipas njoftimit të ambasadës Kim dhe Rama "u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë.”

Presidenti Ilir meta e ka cilësuar shembjen e teatrit jo  thjesht dhe vetëm një akt cubash, antikushtetues dhe i paligjshëm, por një akt i programuar shkombëtarizues! Megjithatë ai u ka bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje gjatë protestës së të mërkurës të inicuar nga artistët dhe shoqëria civile.

Këta të fundit kanë kërkuar që politika të mos ndërhyjë në protest megjithatë edhe PD edhe LSI kanë konfirmuar se do jenë pjesë e protestës. (Luljeta Ndoka, TVM2)