Botë
Kovid-19, bota mes pasojave shëndetësore dhe ekonomike
20.05.2020 15:36
Vendet evropiane po ndërmarrin masa për të përballur pasojat ekonomike nga virusi Korona....

Vendet evropiane po ndërmarrin masa për të përballur pasojat ekonomike nga virusi Korona. Për këtë qëllim Franca dhe Gjermania kanë propozuar një fond prej 500 miliard eurosh. Austria, Holanda, Danimarka dhe Suedia janë shprehur kundër borxhit të përbashkët për dallim nga Franca dhe Gjermania të cilat janë të mendimit se Komisioni Europian duhet të huazojë dhe shpenzojë para në emër të BE-së.
“Qëllimi ynë është që ekonomia evropiane të zhvillohet dhe të zbuten rregullativat që si zonë biznesi të ketë sukses në konkurrencën ndërkombëtare. Po ashtu dëshirojmë të shprehim solidaritetin duke ndihmuar Italinë, Spanjën dhe Francën, të cilat ishin të prekura nga kriza por qasja jonë nënkupton ndihmë në huazim e jo borxh të përbashkët.”,- tha kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurc.
Ndërkohë Italia ka frikë se Kriza e turizmit rrezikon të thellohet pas nënshkrimit të një marrëveshje mes disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian si Gjermania, Austria, Kroacia, Sllovenia e Republika çeke për krijimin e një korridori të ashtuquajtur “Covid Free” që lejon turistët e Europës Veriore drejt plazheve dhe pikave turistike të vendeve të ish Jugosllavisë. Europarlamentarët italianë kanë denoncuar se Komisioni Europian ka lejuar nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve me riskun diskriminues për turizmin italian. E tillë është dhe marrëveshja e një projekti pilot nënshkruar me ishujt Baleari të Spanjës që do të drejtojë turistët nga zona të caktuara të Gjermanisë e Europës drejt vendeve me përhapjen me të ulët të infektimit nga Covid-19.
Eurparlamentarët italianë kanë dorëzuar kërkesën e një interpelance parlamentare me Komisionin Europian për t'i dhënë fund iniciativa të tilla që sipas tyre diskriminojnë turizmin italian, duke kërkuar madje që Europa të gjobisë çdo vend që ndërmerr nisma të tilla unilaterale e që dëmtojnë Italinë. Sektori i turizmit në Itali përbën mbi 13% të PPB dhe punëson mbi 4 milionë punonjës. Më 3 qershor Italia do të hapë kufijtë me vendet e Eruopës ndërkohë që të gjitha rajonet po bëhen gati të presin e t'i garantojnë turistëve të huaj kushte të sigurisë së shëndetit dhe të komoditetit maksimal.
Ndërkohë, BE ka shprehur mbështetje për Organizatën botërore të Shëndetësisë dhe ka kërkuar solidaritetin e të gjitha vendeve, përfshi edhe SHBA-të presidenti i së cilës Donald Trump ka paralajmëruar këtë organizatë për mundësinë e ndërprerjes së mbështetjes financiare, pasi e vlerëson si marionetët ë kinës.
“BE e mbështet Organizatën Botërore të shëndetësisë në përpjekjet për pengimin dhe kontrollimin e përhapjes së virusit Korona. Ne kemi siguruar përkrahje financiare.”,- thuhet nga BE.
Mbështetje financiare për OBSH-në ka paralajmëruar edhe Kina. Ndërkohë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se deri në 60 milionë njerëz do të mund të përballen me “varfëri ekstreme” si pasojë e virusit korona. Ndërsa në nivel botëror vazhdon të rritet numri i rasteve të reja dhe vdekjeve nga Covid-19, megjithëse me një ritëm më të ulët. Raportohet se numri I të infektuarve ka arritur në rreth 5 milionë, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në rreth 325 mijë. Numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 1 milion e 959 mijë e 149 pacientë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
