Maqedoni

Strugë, Bekteshi: Masat e qeverisë, mbështetje për turizmin. Blazheski: Këtë vit shpëtimi kërkohet te turistët vendorë. Merko: Komuna mbështet sektorin e turizmit

20.05.2020 19:08

Turizmi, masat e pakos së tretë të qeverisë, si dhe ringjallja e hoteleve dhe turizmit në vend...

Turizmi, masat e pakos së tretë të qeverisë, si dhe ringjallja e hoteleve dhe turizmit në vend, ishin temat që u diskutuan në takimin e ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, me kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merkon, dhe përfaqësuesit e shoqatës së hoteleve të Maqedonisë. 
 
Kryetari i hotelierive, Kërste Blazheski, tha se së bashku me qeverinë dhe masat e vendosura do t’u mundësojnë turistëve vendas të gjitha kushtet që u janë mundësuar edhe turistëve të huaj, që do të qëndrojnë në Strugë dhe Ohër. Ai gjithashtu deklaroi se do të ketë edhe ulje të çmimeve, të cilat do të jenë të përballueshme për turistët vendorë. 
 
“Shpresa jonë është te mysafirët vendorë. Nëse e dimë se në Ohër dhe Strugë ata kanë bërë më shumë se një milion rezervime, le të vijnë 80% e tyre gjatë verës, kjo është 400,000 net.”,- tha kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.
 
Edhe kryetari i komunës së Strugës tha se do të bëhet çdo gjë që është e nevojshme për të kthyer turizmin në vend. 
 
Edhe pse tema e takimit të sotshëm ishte turizmi, Merko u pyet nga gazetarët edhe për ndërtimet pa leje në Strugë, për të cilat ai tha se janë spekulime, duke thënë se në Strugë të gjitha ndërtimet janë me leje dhe nuk i merr parasysh sulmimet e Organizatave joqeveritare.
 
ILMIJE ZHAKU