Botë
Kovid-19, 5 milion e 200 mijë të infektuar në botë
22.05.2020 14:46
Bullgaria ka filluar të lehtësojë masat e izolimit të vendosura për të parandaluar virusin Korona....

Bullgaria ka filluar të lehtësojë masat e izolimit të vendosura për të parandaluar virusin Korona. Autoritetet bullgare kanë njoftuar heqjen e ndalesës për hyrjen e vizitorëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe atyre të zonës Shengen, që e kishte vendosur në mes të muajit mars. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se heqja e ndalimit përfshin edhe San Marinon, Andorën, Monakon dhe qytetin e Vatikanit. Por "njerëzit që hyjnë në Bullgari do të vazhdojnë të kalojnë 14 ditë në karantinë". Bullgaria po ashtu ka rënë dakord me dy shtetet fqinje Greqinë dhe Serbinë për të lehtësuar disa kufizime të udhëtimit. Bullgaria deri më tani ka regjistruar 2.331 raste të infektuarve me koronavirus dhe 120 vdekje.
Greqia ku janë regjistruar 168 të vdekur e ka zgjatur deri më 7 qershor masën e izolimit të vendosur në kampet e mbipopulluara të migrantëve, edhe pse deri më tani nuk është regjistruar asnjë migrant i vdekur nga virusi korona derisa vetëm dy migrantë kanë rezultuar pozitiv. Autoritetet greke kanë paralajmëruar fillimin e sezonit turistik më 15 qershor, ndërsa nga një qershori fillojnë edhe fluturimet ndërkombëtare.
Në mbarë botën ka shkuar në rreth 5 milion e 200 mijë numri I të infektuarve, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 334 mijë e 680. Derisa numri i pacientëve të shëruar arrin në rreth 2 milion e 83 mijë persona. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve. Në SHBA në total janë një milion e 620 mijë e 902 të infektuar dhe 96 mijë e 354 të vdekur nga Covid-19.
Rusia renditet e dyta me 317 mijë e 554 raste, por me një numër të ulët të vdekjeve. Rusia raporton 3 mijë e 99 të vdekur nga Covid-19. Ka ndryshuar renditja, ku Brazili ka kaluar në vendin e tretë. Brazili ka 310 mijë e 921 raste dhe 20 mijë e 82 të vdekur. Spanja renditet e katërta ku në total ka 282 mijë e 117 raste dhe 27 mijë e 940 të vdekur. Më pas vjen Mbretëria e Bashkuar e cila raporton për 250 mijë e 908 raste dhe 36 mijë e 42 të vdekur. Në vendin e gjashtë renditet Italia me 228 mijë e 6 raste dhe 32 mijë e 486 të vdekur dhe Franca me 181 mijë e 826 raste dhe 28 mijë e 215 të vdekur nga Covid-19.
Ndërkohë, disa vende po punojnë për gjetjen e një vaksine për virusin korona, derisa në Britani vaksina e përgatitur në Universitetin e Oksfordit ka hyrë në fazën e dytë dhe pritet të përfshijë më shumë se 10,000 persona. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se nëse testet rezultojnë të suksesshme, 30 milion doza do të jenë gati nga shtatori. Për këtë vaksinë janë investuar 131 milion paund dhe gjiganti i farmaceutikës, Astra Zeneca, ka rënë dakord për një marrëveshje licencimi globale për të.
FARIJE DAUTI BAKIJU
