BFI ankohet për presion nga policia, Çulev mohon akuzat e BFI-së
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ka ngritur shqetësimin....

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ka ngritur shqetësimin për presion të policisë ndaj BFI-së kundër faljes së namazit të Bajramit në xhami.
“Në vigjilje të festës së Fitër Bajramit të cilin besimtarët muslimanë në vend po e presin me padurim kurse BFI po bën parapërgatitjet më serioze me qëllim të mbarëvajtjes të namazit të Bajramit, me theks të veçantë në udhëzimin e xhemateve tona gjatë vizitës të xhamisë konform masave për parandalimin e Covid 19, jemi të shokuar nga disa sjellje të policisë së vendit. Kryesia e BFI është vërshuar me njoftime nga myftinitë dhe hoxhallarët tanë se policia po i merr në telefon imamët tanë dhe po ndikon mbi ata që të mos falin Namazin e Bajramit, kurse në raste të tjera, policët kanë hyrë edhe nëpër xhamitë tona me qëllim për të bërë presion”.
Por kreu i BFI-së thotë se do ti qëndrojë besnike vendimit për të falur Fitër Bajramin në xhami bashkë me xhematin e vetë i cili do të zgjas vetëm 15 minuta, duke pasur kujdes të shtuar për të respektuar rregullat e sjelljes që parashohin masat për mbrojtje nga pandemia.
Por, ministri i brendshëm, Naçe Çulev, ka demantuar reagimet e BFI-së.
“Si Ministër i Brendshëm, unë nuk do të lejoj oficerët e policisë të bëjnë presion dhe të ndikojnë në punën e objekteve fetare dhe komuniteteve. Është detyrimi ynë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe në atë që policët të ndërmarrin masa dhe veprimtari të duhura parandaluese. Ministria e Brendshme në mënyrë kategorike hedh poshtë si pretendime të sheshta dhe të pasakta në reagimin e sotëm të bashkësisë fetare islame ndaj presionit të pretenduar të policisë ndaj përfaqësuesve të këtij komuniteti fetar, me rastin e festimit të festës fetare Fitër Bajramit”, ka deklaruar Çulev.
