Shtyhet vizita e Ramës në Beograd

20.10.2014 14:39

Shtyhet për në 10 nëntor takimi mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij serb, Aleksander Vuçiç...........

Kjo është data e vendosur pas një telefonate që dy homologët patën pasditen e kësaj të diele. Biseda telefonike mes Ramës dhe Vuçiçit mësohet se ka zgjatur rreth 30 minuta.

Mediat shqiptare njoftojnë se shtyrja është kërkuar nga kryeministri serb përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar, që kuptueshëm është Berlini, duke pasur parasysh se më herët ishte kancelarja gjermane, Merkel, ajo që telefonoi shefin e qeverisë në Serbi.

Në bisedën e parë të drejtpërdrejtë mes Vuçiçit dhe Ramës pas ngjarjeve të dhunshme në Beograd dhe atyre që e pasuan, thuhet se mes dy homologëve është rënë dakord që incidentet që shoqëruan ndeshjen ishin tejet të padëshiruara. Zyrat e të dy kryeministrave kanë nxjerrë një njoftim të përbashkët, si duket për të shmangur përcjelljen në publik të kundërshtive të forta gjatë bisedës, të cilat nuk i mohon as vetë deklarata zyrtare.

Njoftimi zyrtar i kryeministrisë shton se mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithçka që ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Mediat në Shqipëri njoftojnë gjithashtu se ka qenë presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Beogradin që të mos ndërpritej vizita e kryeministrit shqiptar në datën e planifikuar. Por nga sa mësohet, kryeministri serb ka kërkuar mirëkuptim, për shkak të atij që ai quan “presioni i brendshëm” nuk mund ta priste homologun shqiptar. Por, atë që nuk e mirëkuptoi Perëndimi ishte anulimi i ftesës së Vuçiçit për Ramën, duke e parë si rrugë e mesme shtyrjen disa ditë të saj. Shtyrja me një datë të përcaktuar dhe të afërt është dakorduar paraprakisht me kancelaren Merkel, e cila e ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi për një shtyrje pa afat nga pala serbe, e cila ka ngurruar deri në fund të shtrojë tapetin e kuq e të ngrejë flamurin kuqezi pas asaj që ndodhi në stadiumin e “Partizanit”.