Jashari dhe Bradke flasin për luftën në Siri
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, gjatë një takimi të përbashkët me ambasadorin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krizën në Lindjen e afërt, Robert Bradke e ka njoftuar atë lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, respektivisht për procedurën e zbatimit të tyre, me qëllim të parandalimit të qytetarëve të saj të mos marrin pjesë në luftërat që po zhvillohen në lindjen e afërt..........

Ky i fundit tha se Maqedonia është një partnere e shkëlqyer në këtë drejtim, ndërsa bëhet fjalë për një dukuri në të cilën janë të përfshirë persona nga më shumë se 80 shtete të botës.
“Maqedonia është partnere e shkëlqyer dhe punon bashkë me ne lidhur me këtë çështje. E mirëpres atë që tha ministri për ligjin e ri, por më e rëndësishme është se si ligji do të zbatohet, sepse është një gjë të kesh ligj në letër dhe është gjë tjetër se si ai ligj zbatohet në praktikë”- deklaroi ambasadori i posaçëm i SHBA-së për krizën në Lindjen e afërt, Robert Bradke.
“Zbatueshmëria e ndryshimeve në Kodin Penal mbi të gjitha ka karakter preventiv. Tendenca është që të reflektojë në parandalimin e qytetarëve të Maqedonisë, e shtetasve të Maqedonisë që të shkojnë në luftëra jashtë Maqedonisë, në veçanti në Lindjen e afërme. Duke vepruar në mënyrë preventive, njëkohësisht veprojmë në ruajtjen e imazhit të fesë që ata i takojnë, në veçanti të fesë islame, po pse jo edhe të përkatësisë etnike që ata pjesëtarë u takojnë”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Maqedonia është vetëm një prej më shumë shteteve të botës, qytetarët e të cilave janë bërë pjesë e luftërave në Lindjen e afërt.
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, tha se ndryshimet në Kodin Penal kanë të bëjnë me masat preventive që ka ndërmarrë shteti në këtë drejtim. (Naim Ramadani, TVM2)
