Botë

Ministri i jashtëm kinez: Kina dhe SHBA së bashku ta luftojnë virusin

24.05.2020 16:49

Shtetet e Bashkuara duhet të ndalen së harxhuari kohë duke akuzuar Kinën dhe së bashku me Pekinin...

Shtetet e Bashkuara duhet të ndalen së harxhuari kohë duke akuzuar Kinën dhe së bashku me Pekinin të bashkojnë forcat për të mposhtur korona-virusin, deklaroi krye-diplomati kinez, Wang Yi. 
 
Ministri i jashtëm kinez i bëri këto deklarata gjatë një konference për media, ku shprehu keqardhje për numrin e madh të rasteve me korona-virus në SHBA – shteti që ka regjistruar mbi 1,6 milion raste me koronavirus dhe mbi 96 mijë të vdekur.
 
“Fatkeqësisht, krahas koronavirusit, një virus politik po ashtu është duke u përhapur në Shtetet e Bashkuara. Ky virus politik po përdorë çdo mundësi që të sulmojë Kinën”, tha shefi I diplomacisë kineze. 
 
Ndërkohë, qyteti kinez i Vuhanit – ku janë raportuar rastet e para me korona-virus njoftoi se të shtunën ka kryer 1 milion e 146 mijë e 156 teste për këtë virus. Kjo shifër e testeve është më e ulët krahasuar me testet që u kryen më 22 maj në këtë qytet.
Ky qytet planifikon të testojë të gjithë 11 milionë banorët e saj. Testimet kanë për qëllim të përcaktoj personat e prekur nga COVID-19, të cilët nuk shfaqin simptoma.
 
Europa, ku më shumë se dy milionë raste janë regjistruar dhe mbi 173 mijë  persona kanë humbur jetën, ka vijuar rikthimin në normalitet duke shtuar masat nga frika e një rikthimi të sëmundjes.
 
E prekur rëndë nga pandemia e COVID-19, Spanja njoftoi rihapjen këtë verë për turistët e huaj dhe rifillimin e kampionatit të futbollit, shenja të reja të një vullneti për rikthimin në normalitet në Europë, ndërkohë që epiqendra e sëmundjes është zhvendosur drejt Amerikës Latine.
 
Vend tjetër turistik, Italia do të hapë kufijtë më 3 qershor dhe gradualisht do të rihapë qendrat historike dhe kulturore. Gjithashtu shumë e varur nga turizmi, Qiproja do të rihapë aeroportet e saj me fluturime tregtare nga rreth njëzet vende nga 9 qershori.
 
Londra ka vendosur një karantinë 14 ditore për udhëtarët që vijnë nga jashtë, duke përfshirë edhe ata që vijnë nga Franca duke detyruar Parisin për një masë reciproke.
 
Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Amerika e Jugut është tashmë epiqendra e re e pandemisë.
 
Në nivel botëror numri i të prekurve ka arritur në 5 milion e 335 mijë e 868 persona, prej të cilëve 2 milion e 124 mijë e 851 persona, ndërsa 341 mijë e 549 persona kanë humbur jetën. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI