Deputetët e PDSH-së kthehen në kuvend

20.10.2014 16:41

Deputetët e PDSh-së iu rikthyen punës në kuvend. Menjëherë pas kthimit, deputetët e kësaj partie kanë akuzuar BDI-në se po miraton buxhet diskriminues për shqiptarët për 11 vjet sa është në pushtet. Sipas PDSh-së, vazhdojnë të financohen projektet megalomane maqedonase, kurse shqiptarët ngelen jashtë çfarëdo përkujdesi.....

“Sot, nëpërmjet deputetëve të BDI-së kalon edhe një buxhet me të cilin për herë të 7-të me VMRO-në, si dhe 4 herë me LSDM-në, në 11 buxhete BDI bëhet pjesëmarrëse direkte në vjedhjen që ju bëhet shqiptarëve. Hipokrizi, fjalë dhe premtime boshe nga ana e BDI-së e karakterizuan edhe këtë buxhet edhe pse hapur nëpërmjet shifrave shihet qartë diskriminimi që ju bëhet shqiptarëve”- deklaroi deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu.

Mirëpo, BDI i ka hedhur poshtë si të pabaza akuzat e PDSh-së. Sipas kësaj partie, buxheti është i balancuar, pasi parasheh investime si në Maqedoninë Lindore po ashtu edhe në Maqedoninë Perëndimore. Pavarësisht akuzave, BDI ka përshëndetur kthimin e PDSh-së në kuvend.

“Përshëndesim kthimin e opozitës, pasi opozita duhet të bëjë punën e vet. Zëri kritik çdoherë është i mirëseardhur për ne si pozitë. Në këtë rast flas për PDSh-në, se çdo kritikë e atyre, me vend, që i bëhet pozitës është e mirëseardhur”- tha deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.

Pasi PDSh akuzoi BDI-në se ka inskenuar konfliktin e dhunshëm, mes deputetëve të të dyja partive, për të heshtur opozitën, Haliti paralajmëroi parashtresën e nismës për themelimin e një komisioni anketues, i cili do të zbardh rastin. Edhe pse, sipas tij, të gjithë e panë se konfliktin fizik e nisi deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)