Studentët e USHT-së protestuan në Shkup
Objekti i USHT-së në Shkup edhe sot u bllokua nga studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-natyrore, të cilët protestojnë për shkak të vendimit të organeve të fakultetit që studentët të transferohen në Tetovë.......

Studentët kërkojnë nga zyrtarët e USHT-së që të ndalojnë me presionin dhe t’i ftojnë studentët në takim për të gjetur zgjidhje për problemet e shumta të studentëve.
“Kërkohet një kusht nga universiteti, të kemi mbi 15 studentë në grup. Këto janë drejtime ekzakte, në vitin e parë jemi regjistruar diku 30-40 studentë dhe është normale vitin e 3 dhe të 4 të jemi diku mbi 10 studentë. Kemi dëshmi se në Tetovë funksionon grup me 5-10 studentë tek vitet e 3-ta dhe të 4-ta. Një prej problemeve që na u bashkëngjit është edhe taksa 100 denarëshe, si dhe janë duke u treguar edhe raste të ndryshme të korrupsionit. Prandaj kërkojmë nga zyrtarët e universitetit që ta largojë korrupsionin nga universiteti, e jo studentin nga universiteti”- deklaroi studenti, Faton Curri.
Në mbështetje të protestës studentore kanë dalë edhe disa studentë që vijojnë studimet në Tetovë. Sipas tyre, problemi është shkaktuar edhe më shumë si pasojë e mosinteresimit të Unionit Studentor, i cili nuk mbron interesin e studentëve edhe pse studentët paguajnë taksë prej 100 denarëve për Parlamentin Studentor, i cili duhet të mbrojë të drejtat e studentëve.
“Kryetari i Unionit Studentor është një veteranë, 6 vite është aty dhe aspak nuk interesohet për interesat e studentit. Ne kemi ardhur në një mënyrë të organizuar prej Tetove këtu, që të tregojmë se edhe ne jemi, i mbështesim dhe do të duhet një herë e përgjithmonë ta zgjidhim edhe çështjen e Unionit Studentor, që Unioni Studentor të jetë në mbrojtje të interesave të studentit, e jo në mbrojtje të interesave të planeve brenda rektoratit”- tha studenti, Denis Raufi.
Studentët paralajmërojnë që nuk do ta ndërpresin protestën deri në momentin që organet kompetente të USHT-së nuk ju mundësojnë studentëve që të vazhdojnë me studimet në Shkup, si dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit Studentor nga ana e studentëve, e jo emërimin e tij nga rektorati. (Sanije Kasami, TVM2)
