Botë
Rekord rastesh me Covid-19, Brazili, vendi i dytë në botë me të infektuar
25.05.2020 14:09
Pandemia e Covid-19 vijon të përhapet me shpejtësi në Brazil...
Pandemia e Covid-19 vijon të përhapet me shpejtësi në Brazil, tanimë vendi i dytë në botë për nga numri i të infektuarve. Shteti amerikano-latin raportoi mbi 15 mijë raste të reja të dielën, duke e çuar numrin total të të prekurve në më shumë se 360 mijë. Viktimat janë gati 23 mijë, e më shumë se 600 prej të cilëve u shënuan në vetëm 24 orë. Situata në Brazil po ndiqet me shumë shqetësim, ndërsa presidenti Jair Bolsonaro vazhdon të mos e marrë seriozisht krizën shëndetësore. Të dielën, ai u pa sërish pa maskë, teksa përzihej me turmën e mbështetësve të tij që protestonin kundër masave të kufizimit. Bolsonaro, i cili kundërshton izolimin, është kritikuar ashpër për mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe gjendet gjithashtu në qendër të një skandali politik. Ish-ministri i Brendshëm e akuzon atë për ndërhyrje në hetimet policore. Shifrat alarmante shtynë presidentin amerikan Donald Trump që të ndalojë udhëtimet e të gjithë shtetasve të huaj që kanë qenë në Brazil dy javët e fundit. Kufizimet nuk do të aplikohen për tregtinë. Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar edhe udhëtimet nga Kina, Irani dhe Europa. Në SHBA ndërkohë në 24 orët e fundit u regjistruan 638 vdekje të reja, për një total prej gati 98.000 humbje jetësh.
Gjermania ka regjistruar 10 viktima gjatë 24 orëve të fundit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 8,257, i të infektuarve 178.570. Të hënën në Gjermani hynë në fuqi lehtësimet e masave izolimit dhe u lejua hapja e restoraneve. Autoritetet ndërkohë po gjurmojnë personat e kontaktiti për të gjithë ata që morën pjesë në një meshë në Frankfurt këtë muaj, ku u identifikuan 107 njerëz pozitivë me COVID-19, në kohën kur autoritetet lejuan hapjen e objekteve fetase si pjesë e lehtësimit të masave.
Në Afrikën e Jugut janë regjistruar 21,343 persona positive ndaj Covid 19, nga të cilët 407 kanë ndërruar jetë. Virusi Korona ka shkaktuar edhe mbylljen e minierës më të thellë të arit në botë, prej kur 164 minatorë rezultuan positive.
Japonia ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur më 7 prill. Japonia i ka lehtësuar kufizimet që nga mesi i majit, por i mbajti ato në disa zona, përfshirë Tokion. Ky vend ka regjistruar një numër relativisht të ulët të rasteve dhe vdekjeve në krahasim me vendet tjera të botës. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16,550 ndërsa 820 pacientë kanë vdekur nga COVID-19.
