SHBA-të armatosin kurdët, Turqia kundër

20.10.2014 17:20

Turqia thotë se po ndihmon kurdët e Irakut të kalojnë në Siri për të ndihmuar luftëtarët kurdë në qytetin Kobani, në kufi me Turqinë, për të frenuar përparimin e militantëve të Shtetit Islamik, por nuk u ndihmon me armë grupeve terroriste, të cilat rrezikojnë sigurinë e vendi, tha ministri i Jashtëm i Turqisë.........

Në kohën kur disa avionë amerikanë transporti hodhën armë, municione dhe furnizime mjekësore për luftëtarët kurdë në Kobani, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu, nuk dha hollësi të tjera kur foli me gazetarët për ndihmën ndaj luftëtarëve “Peshmerga”.

"Sot, gati shtatë grupe po luftojnë kundër ISIS-it, këto grupe kanë formuar një shtab të përbashkët. Administrata rajonale e Irakut ka deklaruar se ata janë në bashkëpunim me Turqinë dhe po e ndihmojmë Kobanin, në fakt ne jemi duke ndihmuar forcat “Peshmerga” të kalojnë në Kobani”- deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushollu.

Edhe presidenti i Turqisë,  Rexhep Tajip Erdogan, tha se vendi i tij nuk do të armatosë luftëtarët kurdë, duke i quajtur ata "të njëjtë" me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila si nga Turqia edhe nga SHBA shihet si grup terrorist.

“Turqia nuk do të binte dakord për asnjë kalim armësh nga SHBA-të te luftëtarët kurdë, të cilët po luftojnë me militantët në Siri. Do të ishte gabim për Shtetet e Bashkuara që të flasin hapur dhe të presin nga ne që të themi “po”, duke dhënë mbështetje për një organizatë të tillë terroriste, e ngjashme me PKK-në, e cila vepron prej 30 vitesh në Turqi, duke krijuar trazira dhe njihet si një grup terrorist nga SHBA dhe NATO”- tha presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

Mbrëmë, gjatë natës, avionë amerikanë transporti hodhën armë, municione dhe furnizime mjekësore të autoriteteve kurde në Irak për luftëtarët kurdë në Kobani.

Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara i kuptojnë "shqetësimet e vjetra," të Turqisë, por theksuan se të dy vendet po përballen me një armik të përbashkët, prandaj janë të detyruar t’i ndihmojnë kurdët në Kobani edhe pse Turqia nuk është e një mendimi me SHBA-në.

Bombarduesit dhe aeroplanët luftarakë amerikanë kanë kryer më shumë se 135 sulme ajrore në zonën rreth Kobanit, të cilat, sipas ushtrisë, e kanë ngadalësuar përparimin e luftëtarëve të ISIS-it. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)