Maqedoni
Deklarata e Sulejman Rexhepit, politika: Të flasin kompetentët, jo liderët fetarë
25.05.2020 16:19
Një ditë pasi kreu u BFI-së Sulejman Rexhepi, e shpalli të vdekur virusin Korona....

Një ditë pasi kreu u BFI-së Sulejman Rexhepi, e shpalli të vdekur virusin Korona, ka reaguar qeveria dhe partitë politike. Qeveria thotë se pandemia nuk ka përfunduar dhe të gjithë obligohen t’i zbatojnë masat.
“Vazhdimisht u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në shoqëri, përfshirë edhe bashkësitë fetare, se e kanë detyrë që në mënyrë më rigoroze t’i respektojnë masat e institucioneve”, thonë nga qeveria.
Edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në një reagim në faceboook, shkruan se virusi nuk është “i vdekur” dhe masat janë efikase vetëm nëse respektohen nga të gjithë.
“Virusi Korona nuk është as i vdekur dhe as nuk ka ikur. Ai është këtu dhe për fat të keq, problemi do të vazhdojë për sa kohë që ka nga ata që e injorojnë. E kam përsëritur shumë herë, por do ta them përsëri. Punëtorët e shëndetësisë nuk mund ta bëjnë këtë luftë vetëm. Masat janë të mira dhe janë vendosur me kohë, por ato funksionojnë vetëm nëse respektohen, përndryshe nuk kanë asnjë efekt. Respektimi i masave dhe efektet e tyre varen vetëm nga ne si qytetarë. Thjesht duhet të pranojmë mënyrën e re të jetës, duhet të rregullojmë jetën tonë të përditshme duke ndjekur rekomandimet”, shkruan Filipçe.
Edhe partitë politike kërkojnë që udhëheqësit fetarë t’ua lënë institucioneve kompetente vlerësimet për Covid 19. LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe lëvizja Besa, përkujtojnë që vlerësime e analiza rreth ecurisë apo fundit të pandemisë, duhet të japin vetëm profesionistët shëndetësorë e të tjerët duhet t’i zbatojnë rekomandimet e ekspertëve. Përkujtojnë se askush nuk duhet të japë deklarata që bien ndesh me deklarimet e institucioneve shëndetësore në vend dhe nga OBSH.
GAZMEND KURTISHI
