Kosovë, Thaçi: Kushtetuta duhet të respektohet, Kryeministri Kurti këmbëngul për zgjedhje

25.05.2020 17:21

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi akuzon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti....

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi akuzon  kryeministrin në detyrë,  Albin Kurti, se  po sillet si njeri i jashtëligjshëm, madje edhe se   ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve kushtetuese që ka bërë.

Gjatë një vizite në Burgun e Dubravës për ta kujtuar të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh nga shteti  Serb,  Thaçi apeloi që aktorët politikë të fokusohen në respektimin e  plotë të Kushtetutës dhe akush nu duhet të guxojë të bëjë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese, do të thotë po paraqitet dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare. ..Të punojmë që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dal në ditët e ardhshme siç janë deklaruar ata. Në anën tjetër në asnjë formë të mos pretendon ndokush që të bëjë ndonjë presion. Prandaj, ne duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj t’i japim opinionet tona dhe qëndrimet tona” – ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeminsitri në detyrë, Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar të ketë ngërç institucional në Kosovë, por ka theksuar se nevojiten zgjedhjet e reja.

“Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë, e lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, ka shkruar Kurti.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të  iniciuar nga partneri i koalicionit LDK. Presidenti Thaçi, më 30 prill, dekretoi Avduallah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të ri të vendit.