USHT: Protestat dëmtojnë procesin edukativo-arsimor
Lidhur me protestat e studentëve të USHT-së në Shkup kanë reaguar nga rektorati i këtij universiteti..........

Prorektori për Arsim i USHT-së, Fehari Ramadani, ka vlerësuar se këto protesta e dëmtojnë zhvillimin e procesit mësimor në të gjitha programet e disperzuara në qytetin e Shkupit. Që nga shpallja e konkursit ishte sqaruar se mësimi nuk do të mund të zhvillohet në fakultetet e disperzuara që do të kenë më pak se 20 studentë, që më pas u ul në 15 studentë, theksoi Ramadani.
“Me vendim të Senatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, por edhe në konkursin e përvitshëm të pranimit të studentëve të rinj është e theksuar qartazi se nuk do të mund të zhvillohet mësimi për grupet që do të kenë më pak se 20 studentë, rregullativë të cilën ne si udhëheqësi e rektoratit e kemi ulur në 15 studentë, vetëm e vetëm që t’ua mundësojmë studentëve tanë vijimin e studimeve nëpër programet e disperzuara në të gjitha qytetet e lartpërmendura. Prandaj, çdo interpretim tjetër që mund të bëhet me këtë rast nuk përkon me realitetin objektiv dhe është në shërbim të qarqeve që nuk ia duan të mirën USHT-së dhe në veçanti dëmtojnë rëndë procesin edukativ-arsimor në qytetin e Shkupit”- deklaroi prorektori për Arsim i USHT-së, Fehari Ramadani.
Ai më tej ka shtuar se USHT, duke e parë si të domosdoshme shkollimin e gjeneratave të reja anembanë viseve shqiptare në vend dhe rajon edhe përkundër vështirësive të mëdha financiare dhe infrastrukturore, ka bërë çmos që studimet e disperzuara të mbeten atributi i vetëm akademik dhe kombëtar i yni, prandaj në vazhdimësi janë bërë investime kapitale në të gjitha objektet e studimeve të disperzuara, si në Gostivar, Kërçovë, Strugë, Kumanovë dhe në veçanti në qytetin e Shkupit, ku në bashkëpunim edhe me Komunën e Çairit, është zgjidhur problemi hapësinor.
Sa i përket pagesës për Parlamentin e Studentëve prej 100 denarësh, Ramadani ka sqaruar se kjo taksë paguhet nga ana e studentëve që nga zyrtarizimi i USHT-së në vitin 2004.
“Ai paguhet nga ana e studentëve që nga viti i zyrtarizimit e deri më sot edhe atë për të vetmin qëllim, që studentët të mund të realizojnë aktivitetet e tyre të ndryshme, si anëtarësimi nëpër organizatat e ndryshme studentore në vend, rajon dhe më gjerë, pjesëmarrja nëpër forume të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspedita studentore, manifestime të ndryshme kulturore dhe sportive etj. Pagesa simbolike prej 100 denarëve është në funksion të fuqizimit të pavarësisë financiare të Parlamentit Studentor, si dhe realizimit sa më efikas të projekteve që janë në interes të studentëve,”- tha Ramadani.
Madje, këto mjete as për së afërmi nuk i plotësojnë nevojat e aktiviteteve studentore, tha Ramadani, duke premtuar mbështetje financiare edhe nga fondet e universitetit. (Gyltene Sinani, TVM2)
