Mjekët: Mbipesha rrezikon shëndetin

20.10.2014 17:48

Për një jetë më të shëndetshme nevojitet konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, theksojnë rëndom mjekët. Por, në rrethana, kur jeta është bërë tejet dinamike, njerëzit gjithnjë e më shumë po konsumojnë ushqim të shpejtë, përfshirë edhe fëmijët në shkolla.........

Vetë nxënësit thonë se shumë herë përcaktohen që gjatë pushimit mes orëve të hanë tost apo hamburger, e më rrallë preferojnë të marrin një mollë nga shtëpia edhe pse ajo është më e shëndetshme.

“Unë më shumë ha kifle, por ndonjëherë dëshiroj që të ha edhe tosta. Tentoj që t’i largoj këto ushqime, por nuk di se a mundem. Ushtroj edhe hendboll edhe në shtëpi i bëj disa ushtrime”- u shpreh një nxënës.

“Në pushim ndonjëherë marr perime, ndonjëherë pemë, sepse janë më të shëndetshme, hamburgerët dhe tostat e di që janë të dëmshme, por i kam dëshirë”- tha një nxënëse.

“Unë preferoj të ha kifle me jogurt, pasi që e di se është më e shëndetshme për trupin”- theksoi një nxënëse.

Sporti është primare për rininë tonë, por edhe kultura ushqimore nëpër shtëpia, andaj arsimtarja e edukatës fizike preferon që më shumë fëmijët të përdorin fruta për një trup vital, që të kenë më shumë energji pozitive.

“Nuk ndikon aq sporti sa ushqimi natyral i përgatitur në shtëpi, apeloj prej shtëpie vet me bë sandviçin prindi ose fëmija. Jam kujdestare e klasës, kur vi në orën e parë ata ende flenë, s’kanë fuqi, d.m.th. preferoj një mollë në mëngjes ta hanë dhe me sport të merren fëmijët”- deklaroi arsimtarja e edukatës fizike, Semie Islami.

Ushqimi i shpejtë bartë me vete rrezikun e shëndoshjes së tepërt dhe paraqitjen e disa sëmundjeve, prandaj mjekët apelojnë që, sidomos fëmijët, të konsumojnë ushqim i cili është i përshtatshëm për moshën e tyre, pasi ata kanë nevojë  për ushqim  cilësor, të pasur me proteina dhe karbohidrate.

“Mbipesha është një nga sëmundjet e para, e cila mund të shkaktohet më pas në jetën e tyre të mëvonshme, është diabeti, i cili është vërtetuar që mund të jetë një nga shkaqet e mbipeshës. Pastaj, mund të jenë edhe sëmundjet kardiovaskulare apo sëmundjet e zemrës, të cilat janë vërtetuar nga shkencëtarë amerikanë”- tha Vjosa Reçica nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në këtë drejtim edhe organet shëndetësore në vend kanë ndërmarrë projekte të ndryshme për të sensibilizuar opinionin nga rreziku që sjell mbipesha, sidomos te fëmijët. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)