Tetovë, hapet qendra për shërbime konsultative

20.10.2014 17:58

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, u promovua formimi i Biznes-qendrës për Përkrahje dhe Shërbime Konsultative për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Rajonin Planor të Pollogut.........

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim  Shabani, theksoi se ministria që drejton ai si prioritet të saj ka paraparë zhvillimin e komunave dhe regjioneve planore.

“Me hapjen e Qendrës së Biznesit, sektori publik hap dyert për investuesit ekzistues dhe atyre potencial, për të gjithë ata që duan biznesin e tyre ta zhvillojnë në regjionin e Pollogut dhe t`i shfrytëzojnë  potencialet e tij të mëdha njerëzore dhe natyrore”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se hapja e kësaj qendre në të ardhmen do rritë mundësitë e të bërit biznes.

“Për ne është kënaqësi e veçantë që pikërisht qendra e parë e kësaj natyre hapet dhe fillon në rajonin tonë, normalisht që është sfiduese dhe normalisht është në prioritetet e tona formimi i qendrave të kësaj natyre”- u shpreh kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Lousia Vinton, tha se kjo qendër mbështetet në dy objektiva mjaftë të rëndësishme.

“Kjo nismë për ne mbështet në dy objektiva shumë të rëndësishme, qëllimi i parë është që t’u japë mbështetje partnerëve tanë në nivel lokal në dhënien e shërbimeve, bizneseve në nivel lokal, në këtë drejtim janë 18 mijë në numër. Qëllimi i dytë është që të rritet, pra që të arrihet rritja në sektorin privat, me çka njëkohësisht arrihet edhe rritja ekonomike, por gjithashtu edhe përmirësimi i standardit të jetës së njerëzve të cilët jetojnë në këtë rajon”- tha koordinatorja e UNDP-së. Lousia Vinton.

Biznes-qendra në regjionin e Pollogut është krijuar me përkrahje të UNDP-së dhe Qendrës për Zhvillim Regjional. (Miftar Emini, TVM2)