Palmer: Nevojitet qeveri e re në Kosovë, po e presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese

27.05.2020 21:26

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer.....

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosovës i duhet një Qeveri e re, shkruan Gazeta Metro.

Palmer tha se Amerika po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugë zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë së re.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk kanë favorit dhe se nuk mbajmë anë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

Palmer përmendi pezullimin e programeve amerikane në Kosovës si pasojë e mos heqjes së taksës dhe reciprocitetit, kërkesë kjo e SHBA’së.

“Me sa di unë Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit po pret demonstrim nga autoritetet e Kosovës që janë të interesuara për të ndjekur një hapje më të gjerë ekonomike që siguron mundësi më të mira për zhvillim ekonomik dhe vende pune. Ajo që duam të shohim është jo vetëm pezullimi i tarifave por edhe heqjen e masave reciproke. Shpresoj se do të shohim përparim në këto çështje dhe Korporata do të rikthehet me programet e saj”, tha Palmer.