Botë
Covid-19, bota po i rikthehet normalitetit, por me masa
29.05.2020 11:41
Kurba e pandemisë, sa vjen e rritet në Brazil, që ka tashmë 25 mijë e 598 të vdekur...

Kurba e pandemisë, sa vjen e rritet në Brazil, që ka tashmë 25 mijë e 598 të vdekur dhe 411 mijë raste të konfirmuara.
Peruja ka një rritje rekord ditore prej 6 mijë e 154 rastesh të reja. India raportoi të enjten 6 mijë e 566 raste të reja, një rekord për vendin që tani renditet i 10 në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara. Shtetet e Bashkuara kanë parë njëfarë përmirësimi, por që bëri një hap të mprehtë prapa me 1 mijë e 400 vdekje të reja të raportuara.
Gjermania ka regjistruar 741 raste të reja dhe 39 pacientë të vdekur për një total prej 8 mijë e 450 viktimave.
Më shumë se 28 mijë e 500 njerëz kanë vdekur në Francë, megjithatë autoritetet paralajmëruan hapjen e restoranteve dhe plazheve prej më 2 qershor.
Kroacia ka regjistruar rreth 100 vdekje, e tashmë ka rihapur kufijtë e saj me 10 vende. Shtetasit nga Hungaria, Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Gjermania do të lejohen të hyjnë pa kufizime nga sot në Kroaci, por me test negativ për Covid-19.
Edhe Turqia sot lehtësoi kufizimet. Që nga 1 qershori, ata që kanë punuar nga distanca do të kthehen në vendet e punës dhe do të hapen kopshtet, plazhet dhe restorantet.
Shqetësim shtesë janë shumë vende të Amerikës Latine, ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se pandemia mund të lerë 14 milion njerëz të uritur dhe pandemia ka rrezik të kthehet në një epidemi urie. Sipas statistikave të Universitetit “Johns Hopkins”, në të gjithë botën, më shumë se 356 mijë njerëz kanë vdekur dhe ka rreth 5.7 milion raste të konfirmuara me COVID-19.
