Maqedoni

Covid-19, 4 të vdekur, 52 të infektuar, kryeson Shkupi

29.05.2020 15:26

Rritet në mënyrë drastike numri i të prekurve nga virusi Korona në vend....

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 4 pacientë - dy nga Shkupi, një nga Velesi dhe një nga Tetova, dhe janë regjistruar 52 raste të reja. Numri më i madh i tyre është nga Shkupi -26, në Tetovë-9, në Shtip-7, Kumanovë-6, Strugë-2, Veles dhe Koçan nga një. Janë shëruar 30 persona. Kryesisht të infektuarit e rinj vijnë nga klasterë të njohur, por në disa komuna ata janë të infektuar të rinj. Problematike në Shkup mbeten 4 komuna, Saraji, Çairi, Buteli dhe Aerodromi, ku të qytetarët janë infektuar gjatë periudhës së masave strikte kufizuese, e kjo tregon se masat nuk janë respektuar. 
 
Filipçe: Nëse nuk zbatohen masat, rikthehen kufizimet
 
Filipçe i apeloi MPB-së të angazhohet më shumë për respektimin e masave. Nuk përjashtoi as mundësinë e kthimit të masave restriktive.
 
“Kërkoj angazhim më të madh të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sanksione. Dua të porosis qartë se përsëri do të zbatojmë kufizime në disa vende nëse gjendja epidemiologjike e kërkon një gjë të tillë, e diskutuam këtë edhe ne mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive. Do të analizojmë të dhënat edhe gjatë fundjavës dhe do të shohim se si duhet të veprojmë. Me vëmendje ndjekim dhe do të veprojmë nëse duhet. I zbutëm masat kufizuese që janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë, sepse këtë po e bëjnë të gjitha vendet. Nuk mund të qëndrojmë gjithmonë të mbyllur. Rikthimi në normalitet tani është përgjegjësi e çdo qytetari dhe më vjen keq që disa qytetarë nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj. Masat janë të qarta dhe nuk është e vështirë që të respektohen. Duhet të mbahet maskë, të pastrohen duart, të bëhet dezinfektimi dhe të mbahet distancë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. 
 
Të “padëgjueshëm” nuk ka vetëm në Shkup. Edhe në qytete të tjera ka njerëz që nuk respektojnë masat. Gjatë kontrolleve në terren janë vërejtur parregullsi, sidomos gjatë transportit të punonjësve nëpër fasoneri dhe qytetarë që nuk respektojnë vetizolimin. 
 
“Janë bërë kontrolle në Tetovë dhe në Shtip. Në Tetovë nuk respektohet vetizolimi, ka shkelje të masave si në Tetovë edhe rrethinë. Nga mbikëqyrja në Shtip u vërejt mosrespektim i masave gjatë transportit. Në autobusët me të cilët udhëtojnë të punësuarit në ndërmarrjet e konfeksioneve, masat nuk respektohen, autobusët mbingarkohen duke mos mbajtur llogari për distancën. Në një fasoneri  ka 17 të sëmurë.”,- thuhet nga MPB.  
 
Një problem tjetër me te cilin përballen epidemiologet është fakti që qytetarët nuk japin te dhëna të sakta dhe kjo vështirëson gjetjen e personave të kontaktit për t’i izoluar të gjithë ata. Ndër shifrat optimiste, Filipçe ndërkohë përfshiu faktet që përqindja e të prekurve në 14 ditët e fundit është 5.5%, këtu kalkulohen edhe testet e skriningut të bëra deri tani. Kapaciteti në spitale është 11%. Mbi 92% e punonjësve të prekur  shëndetësorë janë shëruar. 15 qytetet në të cilat fillimisht janë regjistruar raste Covid pozitiv, aktualisht nuk ka më asnjë të infektuar.
 
FLUTURA LATIFI