Botë
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Thaçi: Sa më parë të formohet qeveria e re
29.05.2020 15:51
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës që të respektojnë vendimin e një dite më parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila mbështeti dekretin e tij për të mandatuar Avdullah Hotin nga LDK për kryeministër. Thaçi porositi që sa më shpejtë të formohet qeveria e re.
“Tani duhet që sa më parë të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale dhe efikase, prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve e partive politike të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ftoj liderët institucional dhe partiak të punojmë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt demokratik.”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kurti: Beteja jonë vazhdon
Vendimi i kushtetueses është kundërshtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke e quajtur të padrejtë dhe të papranueshëm. Kurti ditëve në vijim paralajmëron ndërmarrjen e veprimeve konkrete.
“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijesuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel. Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politikë do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.”,- ka shkruar Kurti.
Mustafa: Formimi i qeverisë, brenda tri ditëve
Ndërkohë, nga LDK paralajmërojnë formim të qeverisë më së voni deri të hënën.
“Në qoftë se është gjithçka në rregull sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në pikëpamje të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, atëherë unë mendoj që nuk ka asnjë arsye të pritet më shumë dhe seanca të mbahet nesër.”,- është shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mund të votojë për formimin e qeverisë së re, pa e çuar vendin në zgjedhje të reja, pas votimit të mocionit për mosbesim të kryeministrit, Albin Kurti.
MERAL ISMAILI
