Maqedoni
Rriten shifrat e të infektuarve, kreu i Çairit me apel për respektim të masave
29.05.2020 17:33
“Gjendja vazhdon të jetë alarmante, andaj sot jam këtu që përmes kësaj paraqitje t’u apeloj edhe për pak durim edhe për pak kujdes”...

“Gjendja vazhdon të jetë alarmante, andaj sot jam këtu që përmes kësaj paraqitje t’u apeloj edhe për pak durim edhe për pak kujdes”. Ky apel i kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu, vjen pas trendit në rritje të numrit të të infektuarve ditëve të fundit. Por, megjithëse shifrat flasin qartë, qytetarët ende e shohin virusin si diçka sureale dhe e shpikur. E kush nuk i beson ekzistimit të sëmundjes, nuk i respekton as rekomandimet.
- A e ndjeni veten të rrezikuar?
“Jo, aspak. Kjo është manipulim, nuk ka asgjë. Të sëmurë ne nuk po shohim këtu. Kjo është çudi e madhe, biznes janë duke bërë me popull. Unë maskë kurrë nuk vendos. Unë nuk i frikohem vdekjes.”,- u shpreh një qytetar.
Ata që mbajnë maska dhe respektojnë rekomandimet frikësohen se mund të jenë viktima pikërisht të atyre që nuk i respektojnë masat mbrojtëse.
“Mendoj se e kanë gabim ata që thonë se nuk ka gjë prej kësaj. Mendoj se megjithatë virusi ekziston mes nesh këtu pari, por është i padukshëm, ai nuk shihet. Kështu që ju kisha preferuar të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh se në cilin rajon janë, që t’i respektojnë këto rregulla të cilat i ka vendosur shtabi krizës dhe qeveria. Nëse i marrim të gjithë edhe do ta fitojmë luftën me këtë virus.”,- theksoi një qytetar.
I pyetur nëse në komunën e Çairit do të implementohen masa shtesë dhe më rigoroze, Ganiu thotë se për këtë vendosin autoritetet shëndetësore.
“Tash ka një trend të rritjes, ne nuk i dimë arsyet pse, por presim nga institucionet kompetente që t’i japin arsyet se pse. Këtë gjë, si autoritete lokale, nuk e kemi në ingerencë dhe s’kemi mënyrë se si ta vlerësojmë që a ka nevojë apo nuk ka nevojë, presim nga institucionet në fjalë.”,- deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Çairi dhe Saraji në pikun e epidemisë ishin komuna me pak të infektuar dhe shqetësuese sipas autoriteteve është hovi i rritjes së shifrave në periudhën e fundit.
ERSAN PAJAZITI
