Botë

Shqipëri, ende pa dakordim final për reformën zgjedhore

29.05.2020 17:58

Reforma zgjedhore në Shqipëri është drejt përfundimit...

Reforma zgjedhore në Shqipëri është drejt përfundimit, megjithatë mazhoranca dhe opozita parlamentare e jashtëparlamentare nuk kanë gjetur ende dakordësi të plotë. Pika e vetme ku ka ngecur Këshilli Politik ka të bëjë me një propozim të fundit të opozitës që rolin e Kolegjit Zgjedhor ta marrë Gjykata Kushtetuese si dhe identifikimi biometrik në zgjedhje.
 
“Sot bëmë një propozim për Kolegjin zgjedhor që të jetë Gjykata Kushtetuese që do shqyrtonte shkeljen e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe palëve. Por pa arritur konsensus nuk shkohet më tej, nëse PS do të reflektojë, i hapet rruga kompromisit për të gjetur zgjidhje për çështjet e tjera të rëndësishme.”,- tha Oerd Bylykbashi nga PD.
 
“PD insiston te e saja, prandaj nuk po biem dakord. Edhe për depolitizmin e administratës. Kemi ndarje. Për çështjet e tjera, kamerat rolin e policisë së shtetit, financimit për të gjitha këto jemi ok.”,- u shpreh Damian Gjiknuri nga PS. 
 
“Palët thuajse sot nuk ranë dakord për asgjë. Do të vijojmë që të flasim dhe ta mbyllim, por tymi i bardhë do të dalë vetëm kur të ketë ndryshim sistemi.”,- theksoi deputetja, Rudina Hajdari. 
 
Presidenti, Ilir Meta, paralajmëroi mazhorancën se nëse nuk gjendet konsensus, reformën zgjedhore nuk do ta dekretojë. Kreu i shtetit tha se datën e zgjedhjeve të reja do ta caktojë ai vetë, pa pyetur partitë politike.
 
 “Nëse Kodi Zgjedhor nuk miratohet me konsensus, 0 çeljesh negociata me BE-në. Jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë. Kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë le mos hyjë në zgjedhje.”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Deri tani palët kanë arritur të gjejnë konsensus për 5 pika që lidhen me financimin e partive, kuotën gjinore në zgjedhje ku 1 në 3 emra në lista do të jetë një grua, ndryshimi i periudhës zgjedhore, sistemin e monitorimit të kamerave dhe praninë e policisë në zgjedhje jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi. 
 
LULJETA NDOKA