Netanjahu: Izraelit do t’i bashkëngjesim një të tretën e Bregut Perëndimor
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka thënë se Izraeli do të aneksojë 30 për qind të Bregut Perëndimor të okupuar...

Në intervistën për gazetën izraelite, “Makor Rishon”, Netanjahu tha se 50 për qind e zonës së klasifikuar si “Zona C” sipas marrëveshjes së paqes në Oslo në vitin 1995 do të aneksohej nga Izraeli. Sipas marrëveshjes, Zona C është 60 për qind e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor.
“Ne do të aneksojmë 30 për qind të Bregut Perëndimor. Përveç kësaj, ne nuk do të lëshojmë leje ndërtimi për izraelitët ose palestinezët për 50 për qind të mbetura të Zonës C për katër vite”, tha Netanjahu, duke iu përgjigjur pyetjes se si të zbatohet i ashtuquajturi plani i paqes i SHBA-së për Lindjen e Mesme.
I pyetur nëse palestinezëve do t’u lejohet të krijojnë shtet në 70 për qind të mbetur të Bregut Perëndimor, Netanjahu u përgjigj se bëhet fjalë për çështje të veçantë.
Ai përsëriti se ishte akoma i gatshëm për të negociuar me palestinezët për të ashtuquajturin Plani i paqes i SHBA-së për Lindjen e Mesme./mia
