Botë
Pas 9 javësh, Moska lehtëson masat e izolimit
01.06.2020 14:03
Protestat antiqeveritare po shtohen në Brazil, kryesisht ndaj presidentit...

Protestat antiqeveritare po shtohen në Brazil, kryesisht ndaj presidentit të vendit që akuzohet si autoritar dhe abuzues i pushtetit. Nuk mungojnë as tensionet sociale sepse janë të shumtë qytetarët që e mbështetin atë.
Në Brazil, policia ndërhyri të dielën për të evituar përplasjet fizike mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të presidentit Zhair Bolsonaro.
Demonstruesit që e akuzojnë kreun e shtetit si frymëzues të fashizmit në vend u derdhën në sheshin qendror të metropolit San-Paolo.
Grupi i të rinjve tifozë të skuadrave sportive, të veshur me të zeza, lëshuan objekte të forta ndaj barrikadës policore.
Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
Ndërkohë në një distancë të afërt me ta, përkrahësit e presidentit Bolsonaro tubonin për mbylljen e Gjykatës së Lartë të vendit, duke mbajtur pishtarë më zjarr në duar.
Gjykata po e heton kryeshtetarin për presion të paligjshëm mbi policinë, akuza të cilat ish-ushtaraku Bolsonaro i quan tentativa absurde për ta rrëzuar nga pushteti.
Në të dyja protesta, qytetarët ndanë mendime politike pro dhe kundër presidentit.
"E vëteta e madhe është se jemi dëshmitarë të përshkallëzimit të autoritarizmit në vend. Qeveria aktuale po përdor pandeminë për ta shtyrë para këtë frymë autoritarizmi, kaosi."
"Populli brazilian nuk do i lejojë më komunistët ta udhëheqin këtë vend. Po erdhën, do i luftojmë, dhe nëse këtë nuk e bën Bolsonaroja, lufta do jetë civile. Duhet t'i kishim vrarë atëherë, kur unë isha pjesë e ushtrisë më 64-ën."
Vetë presidenti Bolsonaro u shfaq të dielën i hipur mbi një kalë duke përshëndetur përkrahësit në kryeqytetin e vendit.
Ai nuk mbante maskë edhe pse kjo është një nga masat e detyrueshme në këtë kohë pandemie.
Njësoj si në Shtetet e Bashkuara, edhe në qytetin brazilian të Rio-de-Zhanejros në fundjavë u mbajtën protesta kundër dhunës policore ndaj komunitetit me ngjyrë në lagjet e varfra të vendit.
Një 14-vjeçar u qëllua për vdekje javën e kaluar gjatë mësymjes së policisë në banesën e tij.
Qyteti brazilian ka një nga bilancet më të rënda të vrasjeve nga policia në botë, me mbi 1,500 persona të ekzekutuar nga forcat e rendit vetëm vitin e kaluar./Ora News
