Maqedoni

Taravari: Pa kaluar piku i parë, filloi piku i dytë

01.06.2020 16:38

Testimet e fundit mbi Covid-19 në tre komunat, Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë...

Testimet e fundit mbi Covid-19 në tre komunat, Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë, tregojnë edhe për një të infektuar të ri. Bëhet fjalë për një banorë të fshatit Dobërdoll të komunës së Vrapçishtit. Në këtë komunë tani ka 5 raste aktive. Në Gostivar javën e kaluar, pas skriningut në çerdhe, u zbulua rast i ri dhe aktualisht ka dy persona pozitiv me Covid-19.
 
Të premten e javës së kaluar, një grua e moshuar nga fshati Toplicë, e cila u pranua në Repartin e Urgjencës, e cila paraprakisht kishte rezultuar pozitiv nga virusi Korona, nuk arriti të mbijetojë. Në Mavrovë-Rostushë nuk ka asnjë rast aktiv. Këto të dhëna i bëri të ditura njeriu i parë i shtabit ndërkomunal të emergjencave dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Ai tha se situata e fundit me Covid-19 në vendin tonë paralajmëron se pa kaluar piku i parë, fillon piku i dytë.  Ai u bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj për Punë të Brendshme të fillojnë me fushatë të menjëhershme sensibilizuese të qytetarëve dhe të ketë sanksionim pa dallime për ata që nuk i respektojnë masat dhe protokollet. Nëse nuk merren me kohë masat e duhura, Taravari thotë se kjo do të ndikojë edhe më shumë jo vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe mbi ekonominë e brishtë të vendit tonë, ku për pasojë edhe mërgimtarët të cilët e gjallërojnë ekonominë tonë nuk do të mund të vijnë verës për pushime në vendlindje.
 
LULZIM HAZIRI