BE, masa lehtësuese përfshi hapjen e kufijve
Edhe vendet e BE-së prej disa ditësh kanë nisur me masat lehtësuese...

Edhe vendet e BE-së prej disa ditësh kanë nisur me masat lehtësuese përfshi hapjen e kufijve. Qeveria gjermane pritet ta shfuqizojë deri më 15 qershor paralajmërimin për të udhëtuar në 31 vende evropiane.
Përveç 26 vendeve anëtare të BE-së, kjo përfshin Britaninë e Madhe si dhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin.
Kjo do të thotë që pas datës 15 qershor nuk do të jetë më në fuqi as rekomandimi për të qëndruar 14 ditë në karantinë për ata që vinin në Gjermani nga këto vende. Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka deklaruar se po angazhohen të gjithë që të arrijnë më 15 qershor të mund të rihapen kufijtë në Evropë. Për turizmin kjo datë mund të kthehet në një lloj “Dite evropiane të zbarkimit të turistëve”.
Ndërkohë në mbar botën vazhdon rritja e numrit të personave të prekur nga virusi korona, i cili ka arritur në 6 milion e 185 mijë e 523 persona, prej të cilëve mbi 2 milion e 652 mijë janë shëruar ndërsa kanë vdekur 372 mijë e 377 persona.
