Botë
Asnjë viktimë e re në Spanjë, shifra shqetësuese në Brazil, Meksikë, Indi e Rusi
02.06.2020 12:47
Spanja, një ndër vendet europiane më të goditura nga pandemia e koronavirusit....

Spanja, një ndër vendet europiane më të goditura nga pandemia e koronavirusit, sjell lajmin më të mirë të ditëve të fundit.
Në 24 orët e fundit në vendin me 27 mijë të vdekur, nuk është raportuar asnjë rast i ri vdekjeje dhe u regjistruan vetëm 71 të infektuar. Edhe në Vuhan, vendi i origjinës së shpërthimit të virusit korona, nuk është regjistruar asnjë rast të ri asimptomatik. Kina kontinentale raportoi për 16 raste të reja të importuara.
Virusi vazhdon të tërbojë pjesët e tjera të botës, përfshirë Brazilin që kaloi gjysmë milioni raste. Meksika ka tejkaluar shifrën 10,000 vdekje, 237 vetëm në 24 orët e fundit bashkë me 2,771 raste të reja.
Rusia raportoi 8,863 raste të reja pozitive dhe 182 të vdekur. India raportoi për një rekord prej 8,392 raste të reja. Në Itali në 24 orët e fundit, u regjistruan vetëm 178 raste të reja dhe 60 viktima. Numri i të vdekurve në Britani të Madhe arriti në 49.646, përfshirë këtu të dhënat nga Anglia, Uellsi, Skocia e Irlanda e Veriut, dhe të vdekurit e fundit në spitalet në Angli.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan ka rezultuar pozitiv me Covid-19 së bashku me anëtarët e tjerë të familjes së tij. Armenia, numëron 9,492 persona të prekur nga korona, 139 prej të cilëve kanë humbur jetën.
Teksa shumë shtete kanë filluar masat lehtësuese, OBSH hedh poshtë zërat se virusi Korona është duke humbur fuqinë. “Për sa i përket transmetueshmërisë nuk ka ndryshuar, mund të them të njëjtën gjë dhe për ashpërsinë”, thonë nga OBSH.
