Maqedoni

Covid-19, rriten sërisht shifrat, kryeson Shkupi

03.06.2020 10:58

Edhe sot janë rritur sërish në mënyrë shqetësuese shifrat e të infektuarve me Covid-19...

Edhe sot janë rritur sërish në mënyrë shqetësuese shifrat e të infektuarve me Covid-19. Janë 101 të infektuar të rinj, 59 prej të cilëve në Shkup, 12 në Kumanovë, 7 në Shtip, 6 në Strugë, 5 në Tetovë, 3 në Gostivar, 2 në Demir Hisar, dhe nga një në Prilep, Veles, Ohër dhe Kavadar. Po ashtu 4 persona kanë humbur jetën, viktimat janë nga Shkupi, Tetova, Kumanova e Prilepi.
 
OBSH, ndërkohë, ka kategorizuar qytetet më të rrezikuara. Kryeson Shkupi, që gjendet në fazën e katër, e cila nënkupton përhapje të gjerë të palokalizuar. Në të njëjtën fazë është edhe Tetova, por sipas konstatimeve, përhapja atje është e lokalizuar. Shtipi gjendet në fazën e tretë kritike. Atje numri i të infektuarve është shumë i lartë pas rasteve të zbuluara nëpër fasoneri, ku nuk janë respektuar protokollet mbrojtëse, dhe sipas ekspertëve epidemiologjik, qyteti është shndërruar në vatër të re të virusit, por të kontrolluar dhe lokalizuar. Qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut ndodhen në fazën e dytë, që nënkupton se rastet e të infektuarve janë sporadike. Konstatimet e OBSH-së bëhen mbi bazën e bilanceve javore të shifrave të ofruara nga autoritetet shëndetësore të vendit.